Shqipëria është cilësuar si surpriza e këtij Kampionati Europian, pasi jo pak herë është lakuar nga mendiat botërore për rekordet që ka thyer në shënimin e golave në sekondat e para të ndeshjes dhe në limitet e kohës.

Sfida me Kroacinë me siguri do të jetë e paharrueshme për të gjithë tifozët kuqezi për perfomancën e shkëlqyer të futbollistëve të kombëtares në fushën e blertë.

Megjithatë edhe kësaj here nuk kanë munguar kritikat nga ekipit. Në një intervistë për Klan News, ish-futbollisti Ditmar Bicaj tha se u përsëritën gabimet e ndeshjes së parë me Italinë sepse në pak minuta morëm 2 gola.

“Ndeshja me Kroacinë më la një shije jashtëzakonisht të mirë sepse guxuam e filluam ndeshjen jashtëzakonisht shumë mirë në presion dhe në sulm të gjithë. Kishin një dëshirë, publiku na shtyu shumë përpara dhe bëri atë që ne presim të gjithë, shënimin e golit. Pjesa e dytë, pavarësisht se në pjesën e parë kishim shumë raste, ndeshja mund të shkonte edhe në 0-2, me rastet e Asllanit dhe Rey Manajt, u shfaqëm shumë para portës. Por i rikthehemi asaj që thamë në ndeshje me Italinë, shenjat e inferioritetit. Ne tërhiqemi shumë mbrapa dhe bëjmë që ne të marrim dy gola për 2 minuta, e cila do të thotë se vazhdon të jetë mungesë eksperience e Shqipërisë në këto lloj kompeticionesh”, tha ish-futbollisti Ditmar Bicaj.

Gjatë fjalës së tij ish-futbollisti tha gjithashtu se ndërrimet e lojtarëve duhet të ishin bërë më herët, madje pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë të sfidës me Kroacinë.

Trajneri Sylvinho duhet të kishte ndërhyrë më shpejt me zëvendësimet për Asanin dhe Bajramin. Megjithatë Bicaj shprehet se edhe pse me vonesë zëvendësimet rezultuan pozitive pasi arritëm të barazonim në limite të kohës.

“Zëvendësimet duhet të kishin ardhur më herët, trajneri është pjesë e atij ekipi, jeton 24 orë me futbollistët, por ne që e shikojmë ndeshjen nga jashtë jemi edhe më të ftohtë. Mendoj se duhet të kishte ndërhyrë më herët, Jasir Asani është një futbollist jashtëzakonisht shumë i mirë, golat e tij nga kanë sjellë këtu. Performanca e tij momentale, ai nuk është në 100 përqindëshin e tij, megjithatë mendoj se duhet të ishte ndërhyrë pak më shpejt jo vetëm me Asanin, por edhe me dy futbollistë të tjerë duke parë edhe konsumimin shumë të madh të Nedim Bajramit. Trajneri mendoj se ndërhyri pak vonë, por mos harrojmë që zëvendësimet i rezultuan pozitive sepse Arbër Hoxha, Mirlind Daku po ashtu edhe Klaus Gjasula lanë shenjë pavarësisht minutazhit shumë të pakët,” përfundoi fjalën e tij Ditmar Bicaj.

/tvklan.al