Fiton në çdo konkurs e portal, por mësuesi ‘lihet në rrugë‘
Në 17 Janar të këtij viti transmetuam rastin e mësuesit të kitarës në Liceun Artistik, Erjon Medha. Ai denoncoi heqjen e padrejtë nga puna, pas një karriere mbi 10-vjeçare, në Lice dhe Akademinë e Arteve.
Në Maj 2019 iu prish kontrata e punës nga drejtoresha e Liceut, Valbona Gavelli dhe ai u zëvendësua me një tjetër mësues të kitarës,Mateo Basha.
Ky i fundit nuk përmbushte kriteret për të qenë mësues, pasi masteri i tij profesional nuk e lejon të japë mësim në Liceun Artistik “Jordan Misja”.
Pas këtij transmetimireagoi portali i Bashkëqeverisjes dhe sipas DRAP Durrës, ishin konstatuar shkelje në emërimin e mësuesit, që zëvendësoi Erion Medhën.
Erjon Medha: Pas publikimit në emisionin “Stop” direkt platforma e bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” më ktheu mbas një farë kohe, që nëpërmjet Drejtorisë Arsimore Parauniversitare të Durrësit, më dha të drejtë sepse personi që më ka zënë vendin e punës është në shkelje dhe duhet t’i prishet kontrata. Me datë 13 Shkurt 2020 më ka ardhur përgjigjja nga bashkëqeverisja.
Gazetari: Që në shkurt dhe deri tani në Qershor ju ende nuk keni filluar punë si mësues i kitarës tek Liceu Artistik?
Erjon Medha: Jo, jam në pritje, unë ende po pres sepse është pak absurde, vetë e kanë konstatuar, por pse nuk e zbatojnë? Nuk e di. Unë kërkoj ndihmën tuaj se tani…
Për këtë absurd, gazetari i “Stop” i drejtohet DRAP Durrës, por e gjen derën mbyllur. Nga ballkoni i një kati të sipërm, një punonjëse i thotë sa më poshtë:
Gazetari- Me kë duhet të flasim?
Punonjësja e DRAP Durrës- Me drejtoreshën, me e-mail, lini takim!
Gazetari-Po i kemi konsumuar pra këto. Institucioni juaj ka konstatuar ato çfarë ne publikuam. Më kupton? Dhe ka urdhëruar masat administrative për drejtoreshën e liceut. Thjeshtë duam të pyesim, që pse nuk po…
Punonjësja e DRAP Durrës- Ke të drejtën tëndeeee…
Gazetari- Po janë bërë lëvizjet.
Punonjësja e DRAP Durrës- Këtë pjesë e di vetëm titullari.
Gazetari- Se në letra janë, po në realitet….
Punonjësja e DRAP Durrës- E di titullari. Keni ardhur në një ditë shumë të keqe, që janë provimet dhe ajo menaxhon. Janë 12 ZVA, që menaxhohen. Djali më nxirr bukur aty!
Operatori- Shumë bukur je.
Punonjësja e DRAP Durrës- Aaaa?
Operatori- Shumë bukur!
Punonjësja e DRAP Durrës- S’kam dalë asnjëherë. E kupton? E kapa dhe mend nuk zura. Kështu djali, kupton, ça të them?
Gazetari- Më vonë do vijë? Duhet të vijë!
Punonjësja e DRAP Durrës-Varet, sa zgjasin dhe ku është. Keni në 11-12 kemi dhe Dibër. Mund të jetë dhe në Dibër dhe në Mat, mund të jetë në Klos.
Gazetari i “Stop” iu drejtua edhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit duke i vënë përpara faktin e tejkalimit të të gjitha afateve, por edhe mosreagimin në kohë, i cili ka sjellë një shpërdorim të fondeve publike.
Gazetari- Hë fole për atë?
Punonjësja e MAS- Fola dhe më thanë, që Valentina Leka, drejtoresha e DRAP Durrës, do t’ju kthejë një përgjigje me e-mail të hënën.
Gazetari- Po jo, se është jashtë çdo lloj konteksti ligjor.
Punonjësja e MAS- Më thanë, që të hënën, Valentina do t’ju kthejë, sepse dhe juve Valentinës i keni dërguar e-mail.
Gazetari- Po pra, po s’ka lidhje ajo.
Punonjësja e MAS- Dhe ajo me e-mail do t’ua kthejë një përgjigje.
Gazetari- Ideja është këtu, që ai ka që në shkurt, që merr rrogë në shkelje. Ça do kthejë Valentina ose ministria?
Punonjësja e MAS- Do t’ua kthejnë përgjigjen me e-mail. Kaq më thanë.
Gazetari- Jo unë s’e pres, se unë I kam të gjitha argumentet.
Punonjësja e MAS– Të hënën më thanë, që do t’ua kthejë me e-mail.
Gazetari- Po të hënën, në daç të shtunën, në daç të dielën, kur të dojë. Ideja, është në shkelje ai, që në shkurt. E kupton? Ata kanë thënë, është në shkelje nga portali. I bie nga shkurti dhe deri tani është paguar në shkelje. Kush e mban përgjegjësinë tani? Valentina? Drejtoresha e liceut? Ministrja? Ku di unë! Pastaj na thonë: hajdeni si njerëz.
Sipas raportit, duhet të ndërpriteshin marrëdhëniet e punës për zëvendësuesin dhe duheshin marrë masa disiplinore për drejtoreshën e Liceut.
Por në praktikë asgjë nuk ka ndryshuar. Ministrja e arsimit, Besa Shahini, i thotë gazetarit të emisionit “Stop” se duhet të bëjë kërkesë zyrtare me shkrim, edhe pse një kërkesë e tillë fle prej muajsh në dikasterin që ajo drejton./tvklan.al