Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Shënvlashit në Durrës. Djali ka vrarë babanë me armë dhe për të fshehur krimin, trupin e hodhi në pus, që po e shihni në pamje.
Vrasja dyshohet se ka ndodhur rreth 20 ditë më parë ndërsa djali i tij, Esmerald Balla, denoncoi këtë të mërkurë në komisariatin e Durrësit, se më 13 gusht kishte humbur kontaktet me babanë, 62 vjeçarin Enver Balla. Policia pasi mori në pyetje anëtarët e familjes ngriti dyshimet se bëhet fjalë për një krim.
Në përgjim u vendosën të gjithë anëtarët, bisedat e të cilavë kanë çuar në zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Policia dyshon se vrasja është kryer nga djali i tij, Esmerald Balla, i cili bëri dhe denoncimin.
Shkak për krimin ka qenë vjedhja e parave nga ana e Esmeraldit. Babai ka pasur në dhomën e të birit një kasafortë me 7.5 milionë lekë të reja, ndërsa çelësin e mbante gjithmonë me vete. 30-vjeçari dyshohet se e ka hapur me gur fresibël dhe ka marrë disa shumë të ndryshme parash. Në momentin që babai ka dashur të marrë paratë pasi i duheshin rreth 20 mijë euro për t’i investuar tek një shtëpi që po ndërtonin, ka konstatuar hapjen e kasafortës dhe mungesën e lekëve. Ai ka debatuar me djalin duke nisur një konflikt të ashpër. Dyshohet se më 13 gusht, Esmeraldi e ka vrarë me një armë pistoletë dhe trupin e ka hedhur në pus, rreth 1 km larg banesës.
Policia ka arritur të gjejë armën e krimit që pritet të dërgohet për ekspertizë.
Enver Balla jetonte me 3 fëmijët ndërsa bashkëshortja kishte humbur jetën 3 vite më parë. Ky krim makabër është i njëjti me atë që ndodhi në familjen Meta, po në Shënavlash. Në shkurt të këtij viti u vra 49-vjeçari Pëllumb Meta, krim për të cilin akuzohen 3 fëmijët e tij. Dhe në këtë rast, ata denoncuan të zhdukur babanë.
Klan News