Pritet që këtë të martë të nisë procesi gjyqësor në lidhje me vrasjen e ndodhur më 14 Shkurt të një viti më parë, në Shën Vlash të Durrësit, ku 3 fëmijët i morën jetën babait të tyre dhe më pas e fshehën trupin e tij në pus.

Përpara gjykatës do të dalin Hysen, Hygerta dhe Amarildo Meta.

Sipas burimeve nga mbrojtja, prokuroria ka ndryshuar akuzën ndaj 19-vjeçares Hygerta Meta, e cila tani akuzohet se, së bashku me vëllain e saj të madh, ka kryer vrasjen e babait, Pëllumb Meta, duke fshehur dhe asgjësuar kufomën për të mbuluar krimin.

Fillimisht, ajo u akuzua vetëm për “fshehje dhe asgjësim të kufomës”, por tashmë akuza është rënduar në “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Gjatë hetimeve, Hygerta Meta ka ndryshuar disa herë dëshminë e saj.

Në fillim, ajo pranoi të ishte autorja e krimit, por më vonë përjashtoi veten nga përfshirja në vrasje, duke pohuar vetëm fshehjen dhe asgjësimin e trupit të pajetë.

Tv Klan