Kryeministri i vendit, Edi Rama thotë se do të kishte përgjegjësi politike po të mos ishte kapur në shkelje me detyrën nga drejtësia asnjë ministër i Partisë Socialiste. Gjatë fjalës së tij në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, kryeministri Rama është shprehur se kanë kursyer 960 milionë Euro me tenderat.

Blendi Fevziu: Një parti që ka kaq ministra dhe kaq kryetarë bashkie në burg, a mund të thuash se nuk ka marrë goditje?

Edi Rama: Unë kam punuar me 40 e sa ministra dhe nga 40 e sa ministra, janë 3 apo 4 në 10 vjet. PS vetëm forcohet dhe zgjerohet.

Blendi Fevziu: A jeni ju përgjegjës për këtë korrupsion që deri më tani ka evidentuar SPAK-u?

Edi Rama: Unë deri tani jam përgjegjës që ky korrupsion po evidentohet sepse po të mos ishte PS-ja nuk do të ishte SPAK-u. Nuk ka sistem korruptiv të ngritur sepse po të kishte, Shqipëria nuk do të ishte në tavolinën e negociatave. Komisioni Evropian është institucioni i vetëm që ka dhjetëra e qindra persona të angazhuar që merren 24 orë/7 me faktet. Nuk merren me faktet 24/7 as gazetat, as televizionet dhe asnjeri. Ata merren dhe ata e dinë ekzaktësisht çfarë dhe çfarë. Unë solla shembujt atje se ndërkohë ne kemi ngritur sisteme dhe do të vazhdojmë të ngremë sisteme që e kanë ulur, nuk është rritur korrupsionit. Kjo shpjegohet me faktin se ka një luftë të thelluar kundër korrupsionit dhe këto që po dalin janë rezultat i kësaj lufte dhe këto gjëra në të shkuarën kanë qenë më flagrante dhe nuk dilnin asgjëkundi sepse nuk merrej asnjeri me to.

Blendi Fevziu: Ju vetë e ndjeni veten të njollosur nga ky korrupsion?

Edi Rama: Unë të njollosur? Si?

Blendi Fevziu: Penalisht ju nuk keni akuzë, por moralisht a keni ju ndonjë përgjegjësi? Në arrati ke zëvendësin tënd, ministra në burg, kryetarë bashkie në burg.

Edi Rama: Kjo është një arsye për t’i thënë bravo Partisë Socialiste.

Blendi Fevziu: Bravo që vjedhët?

Edi Rama: Tani mos ma banalizo. Për t’i thënë bravo PS-së sepse PS-ja është e para dhe e vetmja forcë politike që ka hequr dorë nga kontrolli politik dhe thotë që “nuk dua t’ia di fare a je zëvendësi, a je shoku, a je tjetri a je tjetri, në këtë pikë nuk ka shok, nuk ka zëvendës, por ndarje të menjëhershme”.

Blendi Fevziu: Çfarë do të quanit ju përgjegjësi politike tuajën, jo penale?

Edi Rama: Do ta quaja sikur të mos ishte kapur asnjë ish-ministër i PS-së, sikur të mos ishte kapur asnjë nga drejtorët që janë kapur, sikur të ishin vënë përpara përgjegjësisë ata të krahut tjetër. Kjo do të ishte përgjegjësi e madhe politike. Nëse do të ishte e vërtetë që në Shqipëri ka një vjedhje masive me tenderat…

Blendi Fevziu: Këtë po thotë SPAK-u.

Edi Rama: SPAK-u nuk po thotë asnjë përveçse po identifikon dhe po godet ashtu siç duhet të bëjë me raste të caktuara. E vërteta është se sikur të ishte kështu, nuk do të kishim kursyer ne gati 1 miliardë, 960 milionë Euro nga tenderat. Nëse do të ishte kështu, nuk do të kishim një numër operatorësh ekonomikë që fitojnë gara gati 3-fishin e atyre që fitonin gara para se të vinim ne. Unë nuk kam asnjë mision për t’i mbajtur pishën njerëzve dhe as për të vënë përgjues e për t’i ndjekur nga mbrapa njerëzit dhe as nuk kam të drejtë ta mendoj që mund të bëj gjëra të tilla. Unë nuk zgjedh drejtorët. E dyta e punës, kur njerëzit zgjidhen është sikur njerëzit martohen. Ato martohen se ndjejnë se jemi në një marrëdhënie dhe nuk mund t’i thuash ti me çfarë kriteri e zgjodhe burrin apo gruan. Jeta është dinamike, njerëzit janë natyra të ndryshme dhe mbi të gjitha ka një gjë që ne nuk i kemi akoma institucionet në atë nivel që të bëjnë parandalimin në masë të korrupsionit.

/tvklan.al