Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar në Gjykatë kërkesën për gjykim ndaj ish-kreut të Dhomës së Avokatisë Korçë, Arben Lena dhe 6 të pandehurve të tjerë.
Nga hetimet rezultoi se ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin u përfshinë në tentativën e korruptimit të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Korçë për të lehtësuar pozitat e një të pandehuri.
Nga analiza e provave dhe të dhënave të grumbulluara në funksion të hetimit, rezulton e provuar, se Nikolla Hafësllari, Nikolla Jesku, Blerand Kozici dhe Artiana Kozici në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhënë përfitim të parregullt prej 5 000 Euro, me qëllim ushtrimin e ndikimit të paligjshëm tek gjyqtari i Gjykatës së Apelit Korçë për lehtësimin e pozitës procedurale të të pandehurit Blerand Kozici, i cili po hetohej nën efektin e masës së sigurimit “arrest në burg“, nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Pogradec.
Kozici ndodhej në qeli për veprën penale “Ndihma për kalimin e paligjshëm të kufijve”. Dy të pandehurit e tjerë, Arben Lena dhe Dajana Kodra (Ninga), kanë marrë paratë duke premtuar se do të ushtronin ndikim të paligjshëm te gjyqtari i Gjykatës së Apelit Korçë, me qëllim lehtësimin e pozitës procedurale të të hetuarit Kozici. Ndërkohë i pandehuri tjetër Dritan Tabaku akuzohet për mos kallëzim krimi.
Ish-kreu i dhomës së avokatisë Korçë, Arben Lena u arrestua në 27 Janar të këtij viti, teksa bashkë me të pandehurit e tjerë dolën në përgjimet e kryera në një tjetër hetim të SPAK.
Klan News