Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar për herë të parë në lidhje me kontrollin që kanë ushtruar hetuesit e BKH-së (me urdhër të SPAK) në banesën e tij mëngjesin e kësaj të premte.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Veliaj thekson se hapat procedurialë po merren nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimit pasuror ndaj kryebashkiakut dhe familjarëve të tij. Këto hetime, për kreun e Bashkisë Tiranë jo vetëm që janë të mirëpritura, por thotë se i mbështet në çdo hap.

Duke marrë shkas nga zhvillimet e ditës së sotme, hapat procedurale të kryera nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me hetimin pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap“, shkruan Veliaj.

Më tej, kryebashkiaku i Tiranës thotë se hetimin dhe gjykimin ndaj tij e kanë bërë për një kohë të gjatë ata që i quan “opozitarë të zhytur në llumin e korrupsionit dhe të “ashtuquajturat media” që luftojnë çdo zyrtar e funksionar publik që nuk bie pre e presioneve dhe shantazheve të tyre për përfitime të padrejta”.

Kreu i Bashkisë Tiranë thekson se ai dhe familjarët e tij do të jenë gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë.

Familjarët e mi dhe unë, si qytetar i këtij vendi, por njëkohësisht edhe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të jemi gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë, por duke përbuzur njëkohësisht me neveri çdo të pavërtetë, që ka si qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe familjarëve të mi, si dhe duke përhapur, mbi të gjitha, disinformacione edhe mbi vetë punën e këtyre institucioneve“, shkruan Veliaj.

Në reagimin e tij, kryebashkiaku i Tiranës shton se nuk bën pjesë në kastën e vjetër politike, për të cilën thotë se për shumë kohë e vendosën veten mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi llogaridhënien institucionale.

“Të gjithë këta që i kanë borxhe drejtësisë, rrokin flamurin e përkrahjes së drejtësisë kur në përputhje me ligjin dhe vendimet e gjykatave kryhen veprime procedurale në kuadër të hetimeve, dhe e sulmojnë atë me çdo mjet tashmë që drejtësia ka filluar të veprojë mbi ta, duke thyer kështu tabunë shumëvjeçare të mosndëshkueshmërisë“, e mbyll reagimin e tij Veliaj.


Postimi i kryebashkiaku Erion Veliaj në rrjetin social “X”:


Më herët, SPAK shpërndau një njoftim zyrtar në të cilin sqaroi se ka kryer veprimet hetimore, në bazë të një procedimi penal të regjistruar, pa specifikuar emra dhe duke thënë se nuk mund të bënte të ditur më shumë detaje.

Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës shpërndau një njoftim duke bërë të ditur se kryebashkiaku Veliaj ndodhet jashtë vendit për një vizitë pune në Gjermani, ku është takuar me kryebashkiakun Peter Tschentscher në Hamburg./tvklan.al