Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, forcat RENEA zhvilluan gjatë natës dhe orëve të para të ditës së sotme një operacion të gjerë në zonën e Shkodrës.

Aksioni u shtri jo vetëm në qytet, por edhe në zonat periferike, si Dobraç, Kiras dhe fshatin Golem. Gjatë tij u kontrolluan disa banesa e objekte të tjera që dyshohet se i përkisnin apo përdoreshin si bazë nga elementët kriminalë.

Si rezultat mësohet se janë sekuestruar 5 makina të blinduara, armë zjarri e sende të tjera të paligjshme.

Ndonëse nuk ka një njoftim zyrtar nga SPAK nga burime pranë komisariatit të policisë së Shkodrës mësohet se janë shoqëruar disa persona të cilët janë marrë në pyetje.

Aksioni i SPAK vjen pak javë pas masakrës së Dobraçit ku mbetën të vrarë 4 persona.

Gjatë asaj ngjarje u qëlluan për vdekje Hamza Lici dhe Arlind Bushati ndërsa ndërruan jetën edhe një çift bashkëshortësh të cilët po lëviznin me një biçikletë.

Tv Klan