Kombëtarja Shqiptare pritet të përballet me Spanjën në datën 24 Qershor në stadiumin “Dusseldorf Arena” në orën 21:00. Ekipi vijon me përgatitjet për këtë ndeshje të fundit të kësaj faze për kombataren tonë.
Media të shumta të huaja kanë qenë të pranishme pranë vendit ku kuqezinjtë po stërviten. Gazetari i Tv Klan Alban Xhihani ka mundur që t’i marrë një intervistë të shkurtër njërit prej gazetarëve të pranishëm. Ai është Alberto Rubio, gazetar i medias spanjolle “Marca”, i cili gjatë fjalës së tij shprehu vlerësimet për ekipin e Kombëtares Shqiptare.
Gazetari i “Marca-s” u shpreh se i ka ndjekur ndeshjet e Shqipërisë ku ka përmendur se i ka pëlqyer reagimi në minutat e fundit në ndeshjen ndaj Kroacisë, ku Klaus Gjasula arriti të shënojë edhe golin e barazimit. Rubio theksoi se Shqipëria mund të shfrytëzojë faktin që Spanja shkon në ndeshje më e relaksuar pasi e ka siguruar kualifikimin.
Në mbyllje të fjalës së tij gazetari tha se do të ishte shumë i lumtur nëse Shqipëria arrin të kalojë për herë të parë në raundin tjetër.
-Si shikohet me sytë e spanjollëve Shqipëria në këtë Kampionat Europian. A ka ndryshuar opinioni para dhe pas ndeshjeve dhe si pritet të përfundojë ndeshja e ardhshme?
Alberto Rubio, gazetar i Marca: Spanja ka mjaftueshëm njohje sa i përket Shqipërisë. Është hera e dytë e Shqipërisë në Kampionat Europian. Ajo që dimë ne është se De Biasi ka qenë trajner përpara në 2016, ka qenë Panuçi, tani është Sylvinho, Eddy Reja, Ivan Balliu. Shqipëria mund të përfitojë këtë pjesë, atë që Spanja mund të jetë më e relaksuar edhe për faktin që është e kualifikuar dhe mund të bëjë disa ndryshime. Spanja është në një nivel të jashtëzakonshëm, në një nivel të lartë dhe pavarësisht këtij fakti ata që duan të hyjnë në fushën e lojës, ata duan që të japin maksimumin e tyre për të treguar vlerat e tyre.
E kam parë ndeshjen edhe përballë Italisë dhe përballë Kroacisë, difensivën mbrojtëse, por më pëlqeu shumë mbi të gjitha reagimi që pati minutat e fundit përballë Kroacisë. E pash shumë të zjarrtë dhe të gjallë dhe në fund e meritoj atë barazim 2-2 si të ishte një fitore. Spanja provon të luaj vertikal shumë dhe do të përpiqet të shfrytëzojë pak a shumë ato hapsira që u krijuan kur Shqipëria shkonte përpara dhe kërkonte të realizonte golin përballë Kroacisë. Spanja është favorite, por unë do të isha shumë i lumtur të shikojë skuadrën e Shqipërisë të kalonte për herë të parë në raundin tjetër të 1/8. Shumë fat.
Ndeshja me Spanjën do të luhet të hënën më 24 Qershor, dhe si çdo ndeshje e Kampionatit Europian, transmetohet në Tv Klan./tvklan.al