Një laborator i prodhimit të dokumenteve të falsifikuara u zbulua nga policia në Yzberisht. Në biznesin “UniTrans sh.p.k”, policia gjeti 37 vula të falsifikuara të institucioneve të ndryshme shtetërore brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një pjesë e dokumenteve ishin të paplotësuara, gati për t’u shitur nga falsifikatorët. Drejtoria për Hetimin e Krimeve ekonomike dhe financiare zbuloi se në këtë subjekt falsifikoheshin leje qarkullimi, libreza, deklarata noteriale, dokumente shkollore, dëshmi të aftësive profesionale, dëshmi aftësimi profesional për taksi, dëftesa pjekurie apo akte të marrjes së tokës në pronësi.
Për këtë veprimtari të paligjshme, u arrestuan bashkëpronari i firmës, Çlirim Bregu 53-vjeç dhe 55-vjeçari Arben Rushiti, punonjës në këtë biznes. Në pranga ra edhe 54-vjeçari Fatos Shima, i cili u ndalua në flagrancë duke marrë një certifikatë pronësie të dyshuar të falsifikuar.
Për dokumentet false, në varësi të rëndësisë së tyre klientët paguanin nga 500 deri në 5 mijë euro. Pas kontrolleve në ambientet e subjektit privat, u gjetën edhe 210 shishe me verë, të kontrabanduara, si dhe u konstatua se ishin të punësuar persona të pasiguruar.
Çlirim Bregu, bashkëpronari i firmës i cili u vu në pranga, rezulton i dënuar më parë dhe për kontrabandë. Në dhjetor të vitit 2018 ai u arrestua pasi tentoi që të fusë në vendin tonë 8 mijë litra verë kontrabandë.
Klan News