“Jo abuzimit dhe diskriminimit në vendin e punës. Duhet më shumë vëmendje dhe guxim në këtë drejtim nga ana e të gjithëve.” Këto janë pjesë e mesazhit të Presidentit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, njëherësh edhe Ipeshkëv i Dioqezës Rrëshen, Dom Gjergj Meta në ditën e punëtorëve.
Më në brendësi të mesazhit të tij Dom Gjergj Meta nënvizon se:“Puna në rradhë të parë fisnikëron njeriun, i jep atij dinjitetin dhe i sjell familjes dhe individit të ardhurat për një jetesë të dinjitetshme. Ajo nuk mund të jetë vetëm një mjet fitimi i punëdhënësit, por mbi të gjitha një instrument që e bën më të mirë shoqërinë. Nderim dhe respekt për të gjithë ata që punojnë e fitojnë me djersë dhe me mund duke u garantuar familjeve të tyre dinjitetin e një jete të qetë. Po ashtu edhe për ata punëdhënës që respektojnë dinjitetin e punëtorëve e punëtoreve të tyre, duke i paguar sipas standardeve.
Dom Gjergj Meta më tej sjell në vëmendje edhe shfrytëzimin në vendin e punës apo edhe mungesën e sigurisë.
“Në ditën e punëtorëve, mendimi ynë është edhe për viktimat e bardha që gjejnë vdekjen në vendin e punës nga mungesa e parametrave të sigurisë. Po ashtu ata punëtore e punëtorë që shfrytëzohen, janë të nënpaguar ose punojnë me orare e kushte që nuk respektojnë dinjitetin e punëtorit, diskriminohen apo nuk u jepet vendi i merituar i punës. Në mënyrë të veçantë gratë dhe nënat që shpesh janë viktima të abuzimit në vendin e punës, të përçmimit apo diskriminimit.”
President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Dom Gjergj Meta në ditën e Shën Jozefit Punëtor, thekson se Kisha shpreh nderimin e saj dhe lutet për çdo njeri që punën e ka instrumentin kryesor të mbajtjes së familjes dhe të jetesës së saj.
Klan News