Të modifikuara gjenetikisht për prodhimin e dopaminës
Domatet mund të shndërrohen në kurë me më pak kosto për të sëmurët me Parkinson. Shkencëtarët britanikë kanë krijuar një lloj domateje me gjene të modifikuara që është e pasur veçanërisht me aminoacidin e quajtur levodopa. Ky aminoacid përdoret për prodhimin e ilaçeve për lehtësimin e simptomave të Parkinsonit.
Kjo sëmundje pengon trupin të prodhojë dopaminën, hormonin që çlirohet në trup pas kryerjes së një veprimi dhe që krijon ndjesinë e të qenit mirë. Mungesa e dopaminës shkakton dridhje të pavullnetshme të gjymtyrëve, më së shumti tek të moshuarit.
Levodopa nxit prodhimin e dopaminës në trup, duke lehtësuar simptomat e Parkinsonit. Ilaçet e Parkinsonit që përmbajnë këtë aminoacid të prodhuar në fabrika kushtojnë 2 dollarë për dozë, çka në vendet e varfra është një çmim i papërballueshëm.
Ndaj për shkencëtarët britanikë, shtimi i sasisë së tij në domate që prodhohen në shumicën e kushteve klimatike mund të reduktojë çmimin e kurave për të sëmurët me Parkinson që aktualisht në gjithë globin përllogariten në rreth 6 milionë.
Tv Klan