Donald Trump pritet të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë. Kandidati republikan nuk priti gjatë pas mbylljes së qendrave të votimit në gjithë Shtetet e Bashkuara dhe shpalli fitoren e vet, kur rezultatet nisën të qartësoheshin nga numërimi i votave.
“Është një fitore politike e madhe që vendi ynë nuk e ka parë kurrë. Dua të falenderoj popullin amerikan për këtë nder të jashtëzakonshëm që më zgjodhën si president të 47-të”.
Përpara qindra mbështetësve, familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij në një sallë të madhe në Palm Beach të Floridas, Trump përsëriti sërish premtimin e tij për t’i dhënë fund luftërave në botë.
“Unë nuk do të nis luftëra, unë do t’i ndal luftërat”.
Beson se i shpëtoi atentateve për një qëllim madhor.
“Zoti ma kurseu jetën për një qëllim dhe qëllimi ishte për të ruajtur vendin tonë e për të rikthyer madhështinë e Amerikës. Dhe këtë mision do ta përmbushim së bashku”.
Teksa numërimi i votave vijon në të gjithë vendin, mediat e përllogarisin Donald Trump-in shumë më pranë arritjes së numrit të nevojshëm prej 270 votash në kolegjin zgjedhor se rivalja e tij Kamala Harris.
Sipas këtij grafiku të BBC-së, Trump ka të sigurtë deri më tani 266 delegatë në Kolegj, 4 më pak se numri minimal i nevojshëm, ndërsa Harrisit i mungojnë ende 51 të tillë. Përllogaritjet bëhen mbi bazën e atyre vendeve ku numërimi ka përparuar shumë dhe ku nuk ka më mundësi për t’u përmbysur rezultati.
Krahas bastioneve, republikani rezulton në krye edhe në të 7 shtetet e lëkundshme, ku të sigurtë fitoren e ka në Karolinën e Veriut dhe Xhorxhia, ku para 4 vitesh presidenti aktual Joe Biden fitoi me një rezultat të ngushtë. Në avantazh të dukshëm është edhe në Pensilvaninë ku sondazhet parashikonin se të dy do të ishin kokë më kokë.
Sondazhet gabuan edhe me Uiskonsinin e Miçiganin, ku i jepnin fitore kandidates demokrate, e ku nga numërimi i deritanishëm, republikani është në avantash respektivisht me 4 dhe 6.4%.
Dështim i sondazheve edhe me votën popullore ku shumica i jepej Kamala Harrisit. Donald Trump është jo vetëm fitues i saj, por edhe kandidati më i votuar për president, të paktën në këto dy dekada, duke kapërcyer edhe Barak Obamën që ka mbajtur deri më sot rekordin.
Kamala Harris shtyu fjalimin e natës së zgjedhjeve në Uashington, por mbështetësit e saj tashmë e kanë humbur optimizmin.
Tv Klan