Dorian Alia alias Agron Alia 32 vjeç, personi i cili u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës si një nga autorët e dyshuar të dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, ka deklaruar se nuk donin ta vrisnin por vetëm ta frikësonin.
Kështu ka mësuar gazetari Besar Bajraktari, i cili i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, tha se ai ka dhënë detaje përpara grupit hetimor. Sipas dëshmisë paraprake të Dorian Alia, një muaj më parë ka patur takim mes tyre dhe avokatit që ky i fundit të tërhiqej nga padia. Palët nuk ranë dakord dhe prej atij momenti nisi organizimi i planit.
Mëngjesin e 29 Majit, teksa avokati Sokol Mëngjesit la djalin në kopsht në zonën e ish-bllokut në Tiranë, u dhunua barbarisht nga 3 persona në derën e kopshtit. Ai u godit me sende të forta dhe ka pësuar dëmtime në kokë. Aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës në terapi intensive.
Por edhe pse Dorian Alia ka deklaruar që nuk donin ta vrisnin por vetëm ta frikësonin, goditjet kanë qenë të rënda.
Për këtë arsye, policia ka ngritur ndaj tyre akuzën e vrasjes së funksionarëve publikë të mbetur në tentativë.
Policia thotë se Dritan Nano 58 vjeç, i shoqëruar gjithashtu nga uniformat blu, dyshohet të jetë organizatori.
Shkak i konfliktit është përfaqësimi në gjyq nga avokati për një çështje prone, që në fakt është fituar. Dritan Nano, një nga 8 trashëgimtarët, nuk ka pranuar të paguajë avokatin siç ishte rënë dakord në kontratë.
/tvklan.al