Grup i fortë për të gjithë është ai B i finaleve të Europianit. Me skuadra si Italia, Spanja, Kroacia dhe Shqipëria është cilësuar si “grupi i ferrit”. E pranon këtë Gianluigi Donnarumma, që do të përfaqësojë Italinë me shiritin e kapitenit.

“I ashpër, por është i ashpër edhe për të tjerët sepse ata që do të përballen me ne e dinë se do të përballen me një Itali të fortë, një Itali me ide dhe prandaj është një grup i vështirë. Sa i ashpër të jetë për ne, aq do të jetë edhe për të tjerët”, tha portieri.

Kombëtarja italiane është grumbulluar në Coverciano aty ku po zhvillon përgatitjet.

“Të gjithë shkojmë shumë mirë me trajnerin, e dimë se çfarë rezultatesh ka sjellë në vitet e kaluara, e dimë se çfarë mund të na japë, ai punon shumë taktikisht. Ne i përgatisim mirë ndeshjet, edhe jashtë fushës jemi shumë mirë. Ai na bën të ndihemi shumë mirë, ndaj jam i sigurt se do të na sjellë rezultate të shkëlqyera”, tha Donnarumma.

Kombëtarja e Italisë do të zhvillojë dy ndeshje miqësore me Turqinë dhe Bosnjën.

Tv Klan