Kirurgët indianë në Delhi kanë kryer një ndërhyrje te një 17-vjeçar për t’i hequr binjakun “parazit” në pjesën e barkut.

Një binjak parazit është një fetus i pazhvilluar që mbijeton plotësisht falë binjakut pritës. Ata formohen kur fetusi zhvillohet pjesërisht duke qenë i ngjitur te binjaku i tij. Këto janë raste shumë të rralla që ndodhin 1 në 100.000 lindje.

Adoleshenti kishte gjymtyrë dhe legen shtesë që funksiononin falë një arterieje në kraharor. Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje që zgjati dy orë në spitalin Aiims, raporton BBC.

Kryekirurgu Asuri Krishna tha se ndërhyrja ishte sfiduese për shkak të moshës së pacientit.

Vetëm 40-50 raste binjakësh parazitë janë dokumentuar në literaturën mjekësore botërore dhe në këto raste, ndërhyrja është tentuar te fëmijët”. Pa literaturë të mjaftueshme në dispozicion, ekipi u mbështet “te intuita, aftësia dhe dija”, shtoi ai.

Fetusi i pazhvilluar te adoleshenti peshonte rreth 15 kilogramë dhe dilte nga pjesa e barkut. Gjymtyrët parazite mund të ndienin dhimbjen, prekjen dhe ndryshimet e temperaturës.

Krishna tha se gjëja e parë që bënë ishte identifikimi për të parë sa të ndërlidhur ishin dy trupat. Përmes  analizave, ata zbuluan se paraziti ishte lidhur në kraharor dhe jetonte falë një ene gjaku.

“Por nuk kishte shumë lidhje me organet kryesore si mëlçia apo veshkat”, shpjegon mjeku duke shtuar se gjetën edhe një kist në pjesën e barkut. 

Ndërhyrja u krye në dy faza: në të parën u hoq binjaku parazit dhe në të dytën masa kistike nga organet përreth.

“Një rrjet enësh të përbashkëta gjaku, indesh dhe nervash duhet të ndaheshin. Duhet të tregohej kujdes përtë parë që asnjë nga organet ose indet të mos dëmtohej”.

Gjatë ndërhyrjes, 17-vjeçari pësoi ulje të tensionit të gjakut pasi 30-40% e sasisë së tij qarkulloi drejt binjakut parazit. Megjithatë mjekët ishin të përgatitur dhe e stabilizuan shpejt.

Adoleshenti doli nga spitali 4 ditë pas ndërhyrjes. Ai është i shëndetshëm dhe nuk ka pasur ndërlikime.

Pamja e tij e pazakontë e kishte kthyer në një objekt talljeje në lagjen e tij në Unnao, Uttar Pradesh. Vështrimet dhe talljet kishin ndikuar në shëndetin e tij mendor duke e bërë të izoluar dhe të vetmuar.

S’mund të udhëtoja askund apo të bëja aktivitet fizik”, tha adoleshenti për Indian Express, duke shtuar se e kishte lënë shkollën në klasë të tetë. Tani ai synon që të studiojë dhe të nisë një punë./tvklan.al