Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Dorëheqja e dy anëtarëve të KQZ, Ardian Klosi dhe Vjollca Meçe duket se do të zgjidh pa cënuar Kushtetutën, kolapsin e krijuar për shkak të përbërjes të këtij komisioni. Kreu socialist Fatos Nano kishte propozuar disa kohë më parë dorëheqjen e anëtarëve të KQZ të dekretuar nga Mejdani, si të vetmen zgjidhje për këtë problem.

Partia Demokratike ka deklaruar sot se kjo i hap rrugën kompromisit politikë. Por jo vetëm Klosi dhe Meçe por edhe anëtarë të tjerë të këtij komisioni po përgatiten për të paraqitur dorëheqjen. Fotaq Nano ka deklaruar se do ta paraqes atë shumë shpejt ndërsa të tjerët janë duke reflektuar. Ndërkohë sot Vjollca Meçe anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka treguar motivet e tërheqjes së saj.

Vjollca Meçe:- “Unë vij nga fusha e Drejtësisë dhe do të thosha, jemi përpara një situate të tillë kur gjyqtari që ka marrë përsipër të gjykoj një çështje, është i paragjyuar që nuk do të mbaj paanësi. Prandaj është detyrë e këtij gjyqtarit të jap dorëheqjen dhe ti lërë vendin dikujt tjetër, për të shqyrtuar çështjen. E përjetova në mënyrë të tillë këtë debat që u zhvillua rreth KQZ, sa nuk kam më motivim për ta parë veten time Brenda këtij organizmi. Jam menduar gjatë për të marrë një vendim të tillë. Nuk kam patur asnjëlloj presioni dhe asnjë kërkesë”.

Dorëheqjet e anëtarëve të KQZ, kanë kënaqur opozitën, e cila sot është shprehur se do të kthehen në komisionin teknik. Sipas sekretarit të marrëdhënieve me publikun në PD Pjetër Arbnori, pas kësaj zgjidhje PD do ti përmbahet deklarimeve për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.

Pjetër Arbnori:- “Nuk është duke na bërë nder kush me dorëheqje por po çon gjërat në vend dhe të mos kuptohet ky si një lëshim i dukujt. Unë mendoj se lëshimi ishte me ne dhe shpresoj që KQZ do të jetë ashtu si duhet të jetë. PD është deklaruar që në fillim që ne jemi për zgjedhjet, do të shkojmë në zgjedhje të ndershme dhe të lira”./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego