“Ministri i Brendshëm u bë mish për top”
Vrasja e Klodian Rashës për Lulzim Bashën është dëshmi e mungesës së ndjeshmërisë dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë dhe Kryeministrit Rama.
“Populli ynë e di mirë që peshku qelbet nga koka”.
Përmes një mesazhi ne 30 -vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, Basha hodhi akuza ndaj autoriteteve se sipas tij kanë tentuar të fshehin një krim shtetëror që i mori jetën 25-vjecarit Rasha.
“Por ajo që i revoltoi më së shumti shqiptarët ishte përpjekja mizore dhe e paskrupullt e propagandës qeveritare për të fshehur e manipuluar këtë krim shtetëror”.
Dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj e sheh si larje duarsh nga ana e Kryeministrit për të shpëtuar karrigen e tij pas nisjes së protestave të qytetarëve.
“Vetëm 3 ditë më pas, kur e pa që qytetarët u hodhën në revolte sepse nuk i gëlltisin dot gënjeshtrat e tij, nuk mund të pranojnë as krimin dhe as cinizmin dhe pandjeshmërinë me jetën e një të riu, atëherë ai u detyrua ta beje ministrin e Brendshëm mish për top për të shpëtuar veten e tij”.
Ndonëse Kryeministri e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të largojë nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pavarësisht kërkesave të protestuesve, Lulzim Basha bën përgjegjës për ngjarjen edhe drejtues të lartë të policisë.
“Për këtë ngjarje të dhimbshme faji nuk është i policëve të thjeshtë familjarë që me siguri ndihen po aq të lënduar e solidarë sa edhe gjithë qytetarët e tjerë të këtij vendi. Është rezultat i punësimeve politike të njerëzve joprofesionistë me të kaluar të errët kriminale. Është përgjegjësi e atyre krerëve të policisë të emëruar nga partia që i shërbejnë pushtetit e jo qytetarëve”.
Urimin për një fitore në zgjedhje Basha e mori edhe nga Presidenti i Partive Popullore Evropiane Donald Tusk. Në 30 vjetorin e themelimit te PD kryedemokrati mori urime edhe nga Kryeministri grek Micotaqis.
Tv Klan