Moskrijimi i Gjykatës Speciale Antikorrupsion, SPAK, duket se ka futur në një rreth vicioz çështjen me të pandehur deputetin Tom Doshi, ish-deputetin Mark Frroku dhe Durim Bami. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë për dërgimin e saj tek Krimet e Rënda, këto të fundit e kanë ridërguar dosjen në Gjykatën e Lartë.
Durim Bami ishte të martën tek Krimet e Rënda për zëvendësimin e masës “arrest shtëpiak” dhënë për të 2 vite e 9 muaj më parë nga Gjykata e Lartë. Ai është një nga tre të akuzuarit për fabrikimin e provave të rreme të një skenari për vrasjen e deputetit Tom Doshi në vitin 2015. Të pandehurit Bami iu desh të rikthehej në banesë i shoqëruar nga policia pasi Krimet e Rënda nuk e shqyrtojnë dot më kërkesën e tij.
Dosja ku Durim Bami është i bashkëpandehur me deputetin Tom Doshi dhe ish-deputetin Mark Frroku është ridërguar në Gjykatën e Lartë.
Burime të “Abcnews” konfirmuan se Krimet e Rënda kanë shpallur moskompetencë për shqyrtimin e dosjes. Në këtë mënyrë, aktet i janë përcjellë Gjykatës së Lartë, e cila në tetor 2017 shpalli po ashtu moskompetencë. Gjykata e Lartë hoqi dorë nga shqyrtimi i dosjes, bazuar në ndryshimet kushtetuese për llogari të Reformës në Drejtësi ku gjykimi i akuzave ndaj deputetit, siç është rasti i Doshit, bëhet nga Gjykata Speciale Anti-korrupsion e njohur si SPAK. Por derisa ky institucion ende nuk është formuar, duket se asnjë gjykatë nuk do të vazhdojë shqyrtimin e dosjes “Doshi-Frroku-Bami”.
Prokuroria e Përgjithshme pretendon se tre të pandehurit e kësaj dosjeje në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar prova të rreme me qëllim për të ushtruar ndjekje penale ndaj ish-kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, aktualisht President i Republikës./abcnews.al