Për të transportuar dosjen Kashari në gjykatë, prokurorëve ju është dashur një hamall. E çuditshme por e vërtetë, kamera jonë mundi të fiksojë në zyrë e gjyqtarit të çështjes 19 volumet me provat e akuzës ndaj 10 të pandehurve. Një volum provash i paparë në praktikën gjyqësore, ku më e mira faqe do të shërbejnë si prova akuzë ndaj ish-kryetarëve të komunës së Kasharit dhe bashkëpunëtorëve të tyre të vënë nën akuzë.
Përveç akuzave si mashtrim, shpërdorim detyre dhe korrupsion prokuroria ka formuluar për disa të pandehurve dhe akuzën e pastrimit të parave. Më konkretisht duke iu referuar nenit 287/2 të kodit të procedurës, thuhet se pastrimi i produkteve të përfituara nga një vepër penale dënohet rëndë.
Sipas informacioneve të marra nga avokatët mbrojtës, një pjesë e mirë e të pandehurve do të pranojnë akuzat dhe do të kërkojnë gjykimin e shkurtuar, ndaj dhe një pjesë e mirë e këtyre provave do të shmangen nga shqyrtimi. Në datën 25 qershor në Gjykatën e Tiranës pritet të startojë procesi ndaj 10 shtetasve që do të përgjigjen për tjetërsimin e mijërave hektarëve tokë në Komunën e Kasharit./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani
Operator: Klodian Keçi