Ajo është një nga vajzat më të bukura në botën e modelingut që prej vitesh jeton e punon në SHBA. Në rrjetet sociale ka ndarë gjithnjë projekte që lidhen me të bukurën, me jetën e saj të përditshme si modele por së fundmi ka vendosur të ndërmarrë një ndryshim rrënjësor në karrierë.
Bëhet fjalë për bukuroshen Vildane Zeneli. Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, modelja ka njoftuar se ka vendosur t’i përkushtohet muzikës. Ky nuk është një vendim spontan i saji, por një ëndërr që kishte mbetur në sirtar që prej vitit 2012, por ngjarjet e forta që i kanë shenjuar jetën, e kanë bërë të mos hezitojë më.
Rrëfimi i saj nis në kohën kur modelonte për ‘Beats by Dre’ dhe në një moment, vendosi të realizonte disa këngë. 6 këngët u dëgjuan nga Dr. Dre dhe Jimmy Iovine që e vlerësuan Vildanen si zë të veçantë, më pas erdhën 25 këngë e bashkëpunime me emra të mëdhenj, por që nuk u publikuan kurrë.
“E kam dashuruar këngën dhe muzikën që kur kam qenë fëmijë, rreth një dekadë më parë kur punoja si modele për ‘Beats by Dre’ dhe preka nga afër ‘Interscope Records’. Vendosa që t’i futem profesionalisht muzikës.
Kontaktova mikun tim në Suedi, Andreas Carlsson i cili është një nga tekstshkruesit më të mirë dhe i kërkova nëse mund të realizonim një këngë. Ai më ftoi në Suedi dhe kemi regjistruar 6 këngë për 6 ditë. Kur u ktheva në Los Anxheles dhe ia tregova këngët Dr. Dre dhe Jimmy Iovine i cili në atë kohë ishte dhe CEO i ‘Interscope Records’, ‘feedback’-u ishte i jashtëzakonshëm. Dy nga legjendat më të mëdha të muzikës që po më tregonin se unë kisha një zë të veçantë dhe një timbër karakteristik.
Ishte një nga komplimentet më të mira që mund të kisha marrë ndonjëherë në jetën time. Nisa të regjistroj këngë tek ‘Interscope Records’, realizova rreth 25 këngë në studion e Dr. Dre që për mua ishte një ëndërr e madhe. Pata bashkëpunime me will.I.am dhe Soulja Boy si dhe me disa bashkëpunëtorë të tjerë, por që nuk i publikova kurrë”.
Arsyeja e kësaj shtyrjeje ishte shëndeti i të atit. Vildania shton se më pas përjetoi ankth e depresion e muzika mbeti sërish mënjanë.
“Në atë kohë, babai im pësoi një arrest kardiak dhe si rrjedhojë pas 9 muajsh të qëndrimit të tij në spital, ai iu nënshtrua transplantit të zemrës. Fatmirësisht babai mbijetoi, por gjatë atyre muajve që mua m’u desh të përkujdesesha për të, u futa në pusin e zi të ankthit dhe depresionit. M’u desh të merrja ndihmë profesionale dhe bëra një punë sistematike për të dalë prej asaj gjendjeje. Sapo u ndieva disi më mirë, kuptova që kisha humbur shumë kohë. E vendosa muzikën mënjanë dhe u riktheva aty ku unë besoja se bëja më mirë dhe të nxirrja shpenzimet e jetesës. Zona ime e rehatisë, modelingu!
Pak para pandemisë, nisa të regjistroj sërish këngët mirëpo kur ndodhi pandemia dhe kufizimet që erdhën prej saj, nisa të punoj në financë meqenëse mund të punoja nga shtëpia pa pasur nevojë të shkoja në zyrë.
Pas disa kohësh, u riktheva në vendlindjen time Kosovë për të kënduar, por këtë herë në shqip. Punova me disa producentë të cilët më prezantuan shumë materiale muzikore, por sërish hezitova për të publikuar qoftë edhe një këngë”.
Momenti tjetër i vështirë ishte humbja e babait nga kanceri. Jo vetëm kaq, por edhe dy xhaxhallarët e saj ndërruan jetë e pak muaj më vonë, motra e modeles u diagnostikua me kancer. Do të ishin pikërisht këto ngjarje, shpjegon Vildania në postimin e saj, që do t’i jepnin shtysën e fuqishme për të mos lënë më asnjë sekondë të shkonte dëm.
“Në 2022-in babai im u diagnostikua me kancer në ezofag. Situata ishte e tmerrshme për të gjithë familjen, por sidomos për babin i cili edhe pse një burrë i fortë dhe trim për të përballuar çdo sfidë në jetë, me gjithë luftën dhe përpjekjen titane për t’i rezistuar sëmundjes, e humbi betejën me të në mars të 2023-it.
Por fatkeqësitë nuk mbaruan me kaq. Fill pas humbjes së babit, unë humba dhe dy xhaxhallarët e mi. Po atë vit, në dhjetor, dhimbjet që po kaloja iu shtua dhe diagnostikimi i motrës sime me kancer.
Këto ngjarje jetësore më ndryshuan rrënjësisht. Mposhta frikën dhe vendosa përfundimisht të ndiqja dhe të realizoja pasionin tim për muzikën. Nga këto ngjarje, kuptova që s’mund të dilja kundër vullnetit të Zotit, por të bëja më të mirën time që të realizoja gjëra që më bënin të lumtur. Doza e madhe e dhimbjes që kalova në shpatullat e mia, më rigjeneroi, më ndryshoi perspektivën e të parit të gjërave ndryshe, ku më e rëndësishmja ishte që nuk do ta gjykoj më apo t’i vendos kufizime vetes sime për çështje që janë të parëndësishme. Unë thjesht dua ta mbush zemrën dhe shpirtin me atë që më jep lirinë. Ajo është muzika!”
Modelja e ka gati tashmë projektin e saj të parë dhe është gati ta publikojë e ta ndajë me të gjithë këtë moment ndryshimi në karrierën e saj.
“Babi im më thoshte gjithmonë se nuk duhet të heq asnjëherë dorë nga ëndrrat, por për shkak të ngjarjeve familjare që m’u desh të përjetoja (dhe familja është gjithçka për mua), unë e ndalova muzikën dy herë, por tani jam gati që ta ndaj atë me botën. Me ndihmën e pakursyer të kushëririt tim, Veton Sinanit, kam bërë një punë kolosale për t’i dhënë jetë këtij projekti dhe shpresoj pafundësisht që ju ta shijoni. Jam mëse krenare për vete time që s’hoqa kurrë dorë dhe mëse e kënaqur për t’iu prezantuar çdo gjë që kam punuar gjatë kësaj kohe.
Falenderoj Zotin që më ktheu dhimbjen në forcë, familjen dhe miqtë e mi të cilët më kanë mbështetur dhe kanë qenë aty për mua në çdo moment. Faleminderit Zot që nuk më le kurrë në baltë! Amen!”, përfundon Vildania./tvklan.al