Të ftuar:
Alba Alishani – Producente
Floriana Garo – Zëdhënëse e PD
Mirsad Tagani – Shef kuzhine
Artion Vreto – Gazetar
Gazetare: Ermelinda Ndoja
#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.
2 receta nga Znj. Vjollca
Mish viçi me patate dhe bizele
600 gr mish viçi
1 qepë
1 degë selino
2-3 thelpinj hudhra
Vaj ulliri
Kripë + piper të zi
1 lugë gjelle salcë domate
1 lugë kafe piper të kuq
1 litër ujë
4-5 patate mesatare
1 filxhan çaji bizele ( të ngrira )
3 karrota mesatare
2 lugë gjelle majdanoz + 1 lugë gjelle kopër
Pastrojmë mishin dhe e presim atë në kubik ( sa një kafshatë ) Ngrohim vajin dhe kaurdisim mishin derisa të marrë pak ngjyrë. Shtojmë qepën të grirë hollë dhe vazhdojmë kaurdisjen e saj për 3 min duke e shtuar më pas selinon dhe hudhrat e grira + kripën dhe piperin e zi. I përziejmë mirë e më pas shtojmë piperin e kuq + salcën e domates. I përziejmë për 1 min duke shuar ujin e ngrohtë. Lëmë mishin të ziejë për 25 min në temperaturën mesatare kur ujë të ketë shteruar. Shtojmë patatet + karrotat + bizelet. I përziejmë dhe shtojmë përsëri pak ujë sa të jetë niveli i ujit. Baza me patate dhe bizelet, vendosom kapakun dhe i lëmë të ziejnë dhe për 20 minuta të tjera në fund, kur patatet të jenë zierë fikim zjarrin dhe shtojmë në tenxhere erzat e freskëta e më pas e shërbejmë.
Granola, receta për një mëngjes të shëndetshëm
350 gr tërshërë
1/2 filxhan çaji arra
1/2 filxhan çaji bajame të copëtuara
1/2 filxhan çaji fara luledielli
1/2 filxhan çaji fara lini
120 ml vaj ulliri
170 gr mjaltë
1/2 filxhan çaji boronica të thata
1/4 lugë çaji kripë
1/2 lugë çaji kanellë
Fillimisht ngrohim furrën në temperaturën 170 gradë. Në një tas të madh përziejmë tërshëren + arrat + farat e lulediellit + farat e linit + një majë kripë dhe 1/2 lugë çaji kanellë i përziejmë mirë të gjithë përbërësit me një lugë druri. Shtojmë mjaltin dhe vajin e ullirit, i përziejmë mirë përsëri. Boronicat nuk i shtojmë i lëmë menjanë. Në një tepsi furre shtojmë një letër pjekje dhe e nivelojmë në të tërshërën e përzierë me farat dhe frutat e thata.
Vendosim tepsin në furrë në 170 gradë për 25-30 min derisa të marrë ngjyrë kafe, jo shumë të errët. E përziejmë 1 herë pas 15 min. Pasi të kalojë koha 30 min e nxjerrim nga furra dhe shtojmë boronicat e thata kur tërshëra eshtë e nxehtë. E lëmë të ftohet plotësisht në tepsi e më pas e thermojmë me duar nëse është ngjitur vendosim në një kavanoz e xhami e ruajmë. E shërbejmë 2-3 lugë gjelle në mëngjes me kos ku mund të shtojmë dhe pak fruta të freskëta.
A ka konkurrencë në çift?
“S’isha më Floriana, por gruaja e…”, sfida që priti Garon në Zvicër
Krijimi i familjes ishte prioriteti që Floriana Garo i vendosi vetes në një moment kur karriera e saj ishte realizuar. Në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan ajo shprehet sesi vendosja e prioriteteve është e rëndësishme që çifti të funksionojë dhe ta alternojë këtë me zhvillimin personal.
Por për zëdhënësen e Partisë Demokratike, kjo situatë nuk ishte e lehtë. Nga një vajzë e njohur e ekranit ajo zgjodhi të shkonte në Zvicër duke lënë gjithçka pas për t’u bërë gruaja e një avokati.
Floriana Garo: Unë kam pasur një karrierë përpara sesa të martohesha. Një karrierë ku kam qenë shumë e njohur, shumë e realizuar me të gjitha dhe një moment e shkëputa, e ndërpreva karrierën time për të qenë gruaja e… tim shoqi, e avokatit në këtë rast që ishte në Zvicër. Unë nuk isha më Floriana, por isha gruaja e avokatit. Nuk ishte e thjeshtë të përballeshe edhe me këtë situatë, megjithatë për mua ishte shumë e rëndësishme familja, ndërtimi i familjes, krijimi i familjes, fëmijët dhe të gjitha këto saqë e lashë egon time mënjanë deri diku.
Katerina Trungu: Për një kohë të shkurtër ose, për disa vite.
Floriana Garo: Për një periudhë kohe dhe mendoj që edhe ajo që po thoshte Artioni më përpara dhe desha të elaboroja mbi këtë, është që të dy në të njëjtën kohë, pra të jenë super të realizuar është pak e vështirë sepse koha për familjen është e limituar për një çift që është ambicioz dhe unë e diskutoj shpesh me tim shoq këtë gjë, është që projektet mund të jenë me faza. Një moment ai është më i zënë dhe unë do të tërhiqem më shumë, një moment unë do të jem më e zënë dhe ai do të jetë pak më i tërhequr sepse ndryshe nuk e bën dot familjen. Nga eksperienca personale, unë këtë mund të them.
“Nëse gruaja fiton më shumë të ardhura se burri krijohet konflikt në çift”
Kur gruaja ose burri është më lart në karrierë a krijohet “rivalitet” në çift?
“Rrogat e tre fëmijëve kalojnë në llogarinë familjare”, rregulli i habitshëm i telefonueses
Respekti, toleranca dhe përcaktimi i një portofoli të vetëm në shtëpi janë tre kriteret që një telefonuese në “Shije Shtëpie” në Tv Klan i konsideron të rëndësishme për mbarëvajtjen e familjes. Ajo thotë se të ardhurat e saj dhe të bashkëshortit kalojnë gjithnjë në një llogari të përbashkët, por janë shtuar edhe të fëmijëve.
Sipas telefonueses, kalimi i pagave të tyre në llogarinë familjare ndihmon që të shmangen keqkuptimet financiare.
Telefonuesja: Unë kam tre fëmijë, përkatësisht të moshës 25, 24 dhe 18 vjeç, punojnë në të njëjtën kohë dhe ndjekin fakultetin. Asnjëri nga këta, edhe ky që është i vogël, 18 vjeç, rroga do të kalojë nga llogaria e tyre në llogarinë tonë për të vetmen arsye se një kulturë dhe që nesër të ndërtojnë një bazë familjare si ne, pa keqkuptime dhe të arrijnë në divorc e zënka për arsye financiare.
Katerina Trungu: Më ngacmove tani me këtë që tregove, pse domosdoshmërisht llogaria e fëmijëve, që janë të rritur, duhet të bashkohet e tëra me pjesën tjetër, me familjen? Nuk mendon se duhet ndoshta një ndarje që edhe ata të mësojnë të menaxhojnë paratë e tyre fundja?
Telefonuesja: Absolutisht, respektojnë pavarësisnë e fëmijëve dhe janë të lirë atë që ata duan por nga edukata dhe kultura e familjes tonë ata kanë parë që çdo gjë që kërkohet, plotësohet dhe ata e kanë ndier vetë dëshirën e tyre për ta kaluar rrogën dhe gjithë ekonominë e tyre në të njëjtin numër llogarie të familjes sonë.
Telefonuesja thotë se secili mund ta përdorë kartën e kësaj llogarie, por një shpenzim diskutohet edhe me anëtarët e tjerë të familjes.