Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Për të parandaluar numrin e aksidenteve në rrugë për të cilën Shqipëria zë vendin e parë në rajon, policia e shtetit, drejtoria e përgjithshme e rrugëve dhe policia ndërtimore, kanë nënshkruar së bashku një plan të përbashkët masash. Drejtori i policisë Ibraj ka urdhëruar shërbimin 24 orë për policinë rrugore.

Bajram Ibraj: “Do të mbahen nën mbikëqyrje mjetet që formojnë autokolona të organizuara transporti, mjete që transportojnë ngarkesa të lëndëve dhe materialeve të rrezikshme etj.”

Ndërkohë drejtoria e rrugëve ka nënshkruar për fillimin e punës për sinjalistikën në rrugë.

“Ekziston një bashkëpunim i mirë mes drejtorisë së përgjithshme të rrugëve dhe drejtorisë së policisë në drejtim të kontrollit të masave të sigurisë rrugore që ndërmerren nga firmat kontraktore gjatë kohës së zbatimit të punimeve. Ne si institucion kemi pasur bashkëpunim me disa nga drejtoritë e policisë nëpër qarqe.”

Në marrëveshje është cilësuar edhe prishja e objekteve të paligjshme buzë rrugëve nacionale, si dhe tabelave dhe reklamave që jo rrallë bëhen shkak i aksidenteve.

Mark Nikolli: “Janë evidentuar rreth 300 objekte të paligjshme, përgjatë akseve të rrugëve nacionale. Plani i veprimit parashikon evidentimin e ndërtimeve të kundra-ligjshme, për 15-ditëshin e parë të nëntorit dhe prishjen e tyre.”

Zbatimi i këtij plani masash do të shoqërohet me kontrolle për drejtuesit e mjeteve dhe transportit publik./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj