Chris LaCivita, konsulenti politik i fushatës së Donald Trump në zgjedhjet e 2024, është kontraktuar nga Partia Demokratike për të drejtuar fushatën për garën e 11 Majit.
Pas kontributit të vlerësuar dhe nga vetë Trump për rikthimin në krye të Shtëpisë së Bardhë, Sali Berisha në krah të aleatëve të tij e prezantoi LaCivita-n, si arkitektin e rikthimit të tij dhe Partisë Demokratike në pushtet.
“Sot është fillimi i një fushate që do të rikthejë Shqipërinë në rrugën e shpresës, në rrugën e të ardhmes, në rrugën e ligjit dhe të zhvillimit”.
Edhe vetë Berisha u duk i surprizuar që një konsulent i nivelit të LaCivita pranoi të marrë në dorë fushatën e demokratëve mes shumë ofertave që ka patur në tryezë. Ndërsa rreshton dy faktorë kyç që sipas tij mund të kenë ndikuar në vendimmarrjen e tij.
“E vërteta është se PD dhe opozita shqiptare, si dhe Shqipëria, ishin vendi i dytë pas SHBA, në të cilën e majta radikale sorosiane, ideologu i saj, armiku i demokracisë, George Soros dhe kukulla e tij, Antony Blinken. Bënë gjithçka për zhdukjen e opozitës konservatore, unë jam i sigurt se ka ndikuar fakti se PD dhe opozita shqiptare, përballë këtyre shantazheve dhe presioneve të jashtëzakonshme për zhdukjen e tyre, qëndruan të pamposhtura Dhe mbi të gjitha, programi aktual i PD dhe opozitës është një program i shkëlqyer për të shpëtuar Shqipërinë”.
Vetë LaCivita është i sigurtë tek fitorja e Berishës që sipas tij është një mik i vërtetë i SHBA ndryshe nga kryeministri aktual që siç tha është kukull e George Soros-it.
“Nuk mund të jesh edhe kukull e Soros dhe mik i SHBA-ve, kjo nuk është e mundur. Berisha njësoj si Donald Trump dhe si shumë anëtarë të opozitës, në mënyrë të padrejtë janë ndjekur penalisht dhe janë persekutuar nga një qeveri e cila nuk respekton demokracinë. Këto rrethana të ngjashme, janë ato që na bashkuan, na sollën sot ne këtu, se ne e dimë që Berisha mund të fitojë. Në një demokraci që lulëzon dhe në një miqësi të vërtetë me Amerikën, ne mund t’i kthejmë Shqipërisë madhështinë”.
Për fushatën e Trump-it LaCivita u pagua $22 milionë dollarë. Berisha tha se do të ketë komunikime të tjera në media për të folur për të gjitha detajet lidhur me këtë bashkëpunim me LaCivita.
Tv Klan