Skuadra e Dritës, nga Kosova, siguroi kualifikimin për në fazën “play off” të Conference League. Gjilanasit ia dolën të kalojnë me vështirësi skuadrën e Auda nga Letonia.

Pas humbjes minimale në ndeshjen e parë, Drita ia doli të triumfojë në atë të kthimit, e cila u luajt në “Fadil Vokrri”.

Koha e rregullt u mbyll 1-0 për Dritën, pas golit të Krasniqit, ndërsa shtesat ishin spetakolare. Miqtë barazuan menjëherë sapo nisën shtesat.

Megjithatë, skuadra nga Kosova ia doli të shënojë dy herë të tjera me Rron Brojën në minutën e 102-të dhe Dabiqajn në minutën e 115-të, për të siguruar kalimin më tej.

Në “play off”, Dritën e pret një kundërshtar shumë i vështirë si polakët e Legia Varshavë.

Skuadra tjetër, Ballkani u eliminua nga irlandezët e Larne, pas penalltive. Kampionët e Kosovës, fituan në kohën e rregullt 1-0, duke e dërguar ndeshjen te 11 metërshat, pas humbjes me të njëjtin rezultat në ndeshjen e parë.

Nga ruleta ruse, skuadra e Dajës nuk ishte shumë e saktë dhe u mposht, duke mbyllur kështu rrugëtimin europian.

Në turin e tretë u eliminua edhe skuadra shqiptare në Malin e Zi, Decic. Ekipi nga Tuzi u mposht pas penalltive nga finlandezët e HJK. /tvklan.al