Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, nënshkroi sot një memorandum mirëkuptimi me një nga kompanitë më të mëdha evropiane, Rudana Investment Group, i cili parashikon investimin e rreth katër miliardë eurove në Shqipëri në vitet në vijim.
Një ndër pikat e memorandumit parashikon edhe prodhimin e 1 mijë megavat energji elektrike nga uji.
Dritan Prifti: “Është një marrëveshje e cila parashikon që në katër vjetët e ardhshëm në Shqipëri nga ky grup të investohen afërsisht katër miliardë euro, mbase nga marrëveshjet më të rëndësishme që është firmosur ndonjëherë nga qeveritë shqiptare për sa i përket madhësisë së investimeve që parashikohen të bëhen në Shqipëri.”
Pikë të tjera të dokumentit janë edhe ndërtimi i një rafinerie në Porto Romano, një qendre të observimit të hapësirës dhe të tokës në Shqipëri apo ndërtimin e një qyteze të re me teknologji moderne.
Kompania ka shprehur interesim edhe për privatizimin e kompanisë Albpetrol. Një tjetër pikë ka të bëjë me ndërtimin e një porti të ri në Vlorë ose privatizimin e atij ekzistues.
Rudana Investment Group është një kompani zvicerane, kryesisht përfaqësuesi i një konsorciumi investitorësh të vendeve të gjirit Persik, por edhe atyre evropian./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle