15 persona u arrestuan nga Policia në Durrës, teksa 3 të tjerë u shpallën në kërkim si të përfshirë në shpërndarje të lëndëve narkotike dhe posedim të armëve të zjarrit.
Hetimi që nisi 2 muaj më parë dhe u ndoq në terren nga hetuesit me përgjime dhe blerje të simuluar, tregoi se këta persona merreshin me shpërndarje të kokainës, heroinës dhe kanabisit në qytetin bregdetar.
Gjatë operacionit u sekuestruan qindra doza të këtyre lëndëve narkotike, peshore dhe vlera të ndryshme monetare që hetuesit besojnë se janë të krijuara nga shitja e drogës.
Gjithashtu, nga kontrollet e ushtruara, në një banesë në Kavajë u gjetën 3 armë zjarri, një gjahu, si dhe në dy banesa në Durrës, u gjetën 3 armë të llojit pistoleta.
Në kërkim nga ky operacion u shpall edhe drejtori i Shkollës së Muzikës “Jani Kukuzeli”, Dashamir Mehmeti, në banesën e të cilit u gjet edhe një armë zjarri.
Në dorën e hetuesve janë edhe një numër i lart telefonash celular, që do t’i ushtrohen akt-ekspertimeve për të parë nëse ka prova për aktivitetin kriminal të hetuar prej muajit Maj.
Operacioni u përshëndet edhe nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili e konsideroi të suksesshëm.
Tv Klan