Operacioni policor i koduar “Koordinimi” ka goditur një rast të shpërndarjes së kokainës në doza. Në kuadër të këtij operacioni kanë rënë në pranga 4 persona, mes të cilëve një shtetas turk.

Në hyrje të qytetit të Korçës shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Benz” me targa të huaja që drejtohej nga 40-vjeçari me iniciale A.D., automjet në të cilin udhëtonin dhe tre persona të tjerë (një shtetas turk, një e mitur 17 vjeçe dhe një 34 vjeçar).

Gjatë kontrollit në automjet, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi kokaine, një shumë të konsiderueshme parash rreth 9000 Euro. Si dhe gjatë kontrollit të kryer nga Policia e Kavajës, policia gjeti në banesën e shtetasit turk një pistoletë.

“Nga veprimet hetimore të kryera nga Specialistët  për Hetimin e Narkotikëve në DVP Korçë,  u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

 A. D., 40 vjeç, banues në Rrogozhinë, për veprat  penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Shtetasit turk O. Ç., 44 vjeç, për veprat penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”.

E. Xh., 34 vjeç, banues në Rrogozhinë dhe një 17-vjeçare për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim”, njoftojnë blutë.

Në vijim të verimeve procedurale është proceduar penalisht dhe një qytetar që dyshohet i implikuar në këtë veprimtari, konkretisht shtetasi G. K., 20 vjeç, banues në Rrogozhinë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë, 57 gramë kokainë, një shumë e konsiderueshme parash (rreth 9000 euro), 5 aparate celularë, 3 pasaporta biometrike dhe një automjet.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al