Xhemal Loka do të vuajë 10 vite heqje lirie pasi u gjet fajtor nga Gjykata e Durrësit për shkaktim të vetëvrasjes së gruas së tij Bedrie Loka dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake.

Pas gjykimit të çështjes, Gjykata gjeti të provuar se 45-vjeçari kishte ushtruar dhunë dhe ushtruar presion psikologjik ndaj bashkëshortes edhe në sy të fëmijëve të tyre.

Këto rrethana të dokumentuara nga hetimet që u pranuan edhe nga gjykata çuan Bedrie Lokën në 2 Janar të 2024-ës drejt vetëvrasjes duke konsumuar fostoksinë. Gjatë kësaj periudhe në rrjetin social “TikTok”, u publikuan edhe disa video të saj të cilët u komentuan me gjuhë fyese dhe tallëse dhe në atë kohë u dyshua se këto rrethana ndikuan në gjendjen e saj emocionale.

Por hetimet e mëpasshme bën përgjegjës 45-vjeçarin, të cilit në banesë iu gjet edhe një armë zjarri pas kontrolleve të kryera në 6 Janar, 4 ditë pas vetëvrasjes së gruas së tij, datë edhe kur u arrestua. Ndërkohë, ndaj Xhemal Lokës vijon një hetim tjetër në Prokurorinë e Durrësit për dyshimet se ka keqtrajtuar fëmijët.

Tv Klan