15 persona u arrestuan nga Policia në Durrës, ndërsa 3 të tjerë u shpallën në kërkim si të përfshirë në shpërndarje të lëndëve narkotike dhe posedim të armëve të zjarrit.
Hetimi që nisi 2 muaj më parë dhe u ndoq në terren nga hetuesit me përgjime dhe blerje të simuluar, tregoi se këta persona merreshin me shpërndarje të kokainës, heroinës dhe kanabisit në qytetin bregdetar.
Gjatë operacionit u sekuestruan qindra doza të këtyre lëndëve narkotike, peshore dhe vlera të ndryshme monetare që hetuesit besojnë se janë të krijuara nga shitja e drogës.
Gjithashtu, nga kontrollet e ushtruara, në një banesë në Kavajë u gjetën 3 armë zjarri, një gjahu, si dhe në dy banesa në Durrës, u gjetën 3 armë të llojit pistoleta.
Armët ishin të fshehura në thase dhe komodina në banesat të cilat u kontrolluan.
Në dorën e hetuesve janë edhe një numër telefonësh celularë, që do t;i nënshtrohen akt ekspertimeve për të parë nëse ka prova për aktivitetin kriminal të hetuar prej muajit maj.
Klan News