Policia italiane ka rënë në gjurmët e një bandë kriminale të cilët po testonin një nëndetëse të vogël e cila drejtohej nga distanca dhe dyshohet se do të shërbente për transportimin e lëndëve narkotike.
Nëndetësja e vogël, të cilën trafikantët e kishin projektuar dhe testuar, nuk ishte ende funksionale.
Banda e cila kishte në pronësi këtë nëndetëse operonte në qytetin verior italian të Torinos dhe dyshohet se trafikonte sasi të konsiderueshme kokaine, hashash dhe marihuanë.
Mediat e huaja shkruajnë se grupi kriminal drejtohet nga dy vëllezër shqiptarë. Ata besohet se kanë rekrutuar “punëtorë droge” në shtetin fqinj, por edhe në Shqipëri.
Mediat fqinje shkruajnë se janë lëshuar disa urdhër-arreste në Itali dhe Shqipëri. Në vendin tonë u shpallën në kërkim dy vëllezërit nga Dibra të cilët dyshohet se drejtonin grupin e trafikut të drogës, por dhe dy të tjerë nga Tirana dhe Vlora.
Sipas medieve italiane, të cilët i referohen policisë së shtetit fqinj, grupi kriminal vepronte edhe në Ekuador, Belgjikë, Francë e Spanjë.
Klan News