“Stop” është ndalur në Urën Vajgurore, pasi administratori i një ferme lopësh na ka informuar se 9 lopë i janë prekur nga bruceloza. Behar Fesko tregon se para dy muajsh, në 20 Shtator, kanë bërë analizat përfaqësues të shërbimit veterinar dhe brenda muajit duhet të eliminoheshin lopët e prekura. Por kjo nuk ka ndodhur, ndaj Behari detyrohet të hedhë 540 litra në ditë, pasi askush nuk e do qumështin e lopëve të tij.
Broceloza është një sëmundje që prek lopën, e për pasojë edhe qumështi nga lopët e prekura është i infektuar. Lopët që janë të kontaminuara me brucelozë, asgjësohen, theren, groposen. Por kjo nuk po ndodh me lopët e Feskos.
“
Kërkova ndihmë me arsyen se në momentin e analizave të qumështit, rreth 2,5-3 muaj më parë morën analizat e qumështit dhe dyshuan për brucelozë. Pas 20 ditëve erdhën dhe morën analizat e gjakut dhe deklarojnë se 9 prej lopëve ishin me brucelozë. U bë karantina dhe ndarja e lopëve, kishin për të eliminuar brenda një muaji nga shteti lopët dhe pastaj të fillonte puna normalisht. Asnjë gjë. Qumështi po hidhet poshtë dhe lopët nuk janë eliminuar. Me të mëdha dhe të vogla kam në total 70 lopë. Nuk marr qumësht as nga lopët e prekura nga bruceloza dhe as nga të shëndoshat, sepse të tëra fabrikat nuk e marrin qumështin se thonë është me brucelozë. Nga momenti që shërbimi veterinar, që autoritetet bënë analizat e qumështit dhe të gjakut, i gjithë qumështi hidhet këtu tek vendi i plehut. 540 litra qumësht në ditë. Se me të sëmura me të pa sëmura, nuk të beson më njeri. Ai thotë qumështi është me brucelozë dhe nuk ka fabrikë ta marrë
”, tha Behar Fesko.
Gazetarja e emisionit iu drejtua Shërbimit Veterinar dhe drejtorit Ilirjan Rama, i cili tha, se ka patur një problem, pasi drejtoritë e bujqësisë janë shkrirë dhe është bërë drejtoria e re.
Ilirjan Rama: Ne nuk flemë gjumë. Unë dy ditë kam në këtë detyrë. Nga informacionet që kam, në atë fermë janë marrë të gjitha masat sipas ligjit. Në kuadrin e Planit Kombëtar të Monitorimit të Brucelozës, atij i kanë dalë 9 krerë me brucelozë. Gjithçka është konfirmuar nëpërmjet analizave të gjakut. Tani po ndjekim të gjitha procedurat që na lejon ligji, duke filluar nga ngritja e komisionit, lidhja e kontratës me një thertore për therjen e kafshëve.
Gazetarja: Për çfarë procedurash flitni ju kur bëhet fjalë për rrezik, si për familjarët ashtu edhe për…
Ilirjan Rama: Ne i kemi mbyllur, kafshët janë të bllokuara, janë izoluar. Dhe një gjë të keni parasysh, qumështi i kafshëve të prekura nga bruceloza mund të përpunohet në mënyrë termike pa problem për njerëzit.
Gazetarja: Janë 540 litra qumësht që hidhen poshtë.
Ilirjan Rama: I kemi ndarë lopët e tjera, ai mund ta shesë, i kemi dhënë dokumente kush janë të pastra dhe ta çojë në baxho. Baxho është privat dhe ne nuk e detyrojmë dot.
Gazetarja: Sipas procedurës kur duhet të bëhet asgjësimi? Sepse bëhet fjalë për 20 shtatorin që është konstatuar dicka e tillë.
Ilirjan Rama: Ka pasur një problem, sepse drejtoritë e bujqësive janë shkrirë dhe është bërë një drejtori rajonale në Elbasan. Dhe një VKM e ministrit nuk na lejonte derisa u bë drejtoria e re që të kryenim therjen. Jemi në fazën që për punë ditësh do të ndodhë ky proces. Normalisht duhej të ishin 30 mbas procesit të daljes së analizave. Do t’i asgjësojmë sa më shpejt sipas ligjit.
Një institucion tjetër po aq i rëndësishëm që duhej të ishte marrë me fermën e zotit Fesko me ato 9 lopë me Brucelozë është edhe AKU në zonën e Beratit. Por i Pyetur nga Stop, drejtori i AKU Berat, Agim Ismaili, refuzoi të jepte informacion.
Agim Ismaili: Për sa i përket informacionit duhet ta merrni në drejtori të përgjithshme.
Gazetarja: Çfarë ju penalizon mosdhënia e informacionit?
Agim Ismaili: Nuk ka asnjë lloj penalizmi, por duhet të marr një autorizim nga Drejtoria e Përgjithshme. Informacionet jepen nga Drejtoria e Përgjithshme, ne nuk kemi zyrë informacioni.
Gazetarja: Ti je drejtor në këtë rast, nuk po kërkoj të zyrës së shtypit. Duhet të kuptosh pozicionin që ke. Je përgjegjës i zyrës së AKU. Je personi kryesor që duhet të jesh në dijeni. Më mirë më thuaj s’kemi informacion dhe më përcill në këtë mënyrë sesa të më thuash shko në Tiranë. Tirana s’ka se si të ketë dijeni nëse në radhë të parë nuk jeni ju si zyrë rajonale.
Agim Ismaili: Ne çdo informacion ia përcjellim brenda ditës Drejtorisë së Përgjithshme të AKU në Tiranë. Edhe për rastin në fjalë të gjitha informacionet janë në Drejtori të Përgjithshme.
Drejtori i AKU për qarkun e Beratit e kishte shumë vështirë të na jepte informacion për shkak se ruante sekretin hetimor në bazë të investigimit që kishte bërë në stallën e lopëve të zotit Fesku. Dhe këtë informacion ai e kishte përcjellë në zyrat qendrore të AKU në Tiranë. Për këtë arsye gazetarja e Stop iu drejtua këtij autoriteti, për të marrë informacion se cilat janë masat e marra. Por Informacioni në këtë institucion është zero. /tvklan.al