Teksa jemi shumë pranë debutimit të kombëtares kuqezi në “Euro2024”, në ndeshjen Shqipëri-Itali, gjatë një interviste për Klan News, Kreu i FSHF-së, Armando Duka tregon se pavarësisht një rivali të vështirë, ekipi është optimist.
Armando Duka, Kreu i FSHF: Kështu që është ndeshje shumë e vështirë, kampion Europe me shumë histori, por ne do të bëjmë tonën. Nuk kemi ardhur vetëm thjeshtë për të luajtur, por kemi ardhur për të fituar dhe do të tentojmë të fitojmë dhe të qëndrojmë sa më gjatë në Gjermani.
Duka nënvizon se të gjithë lojtarët e kombëtares shqiptare janë fizikisht dhe psikologjikisht shumë mirë për të përballuar sfidën e së shtunës.
Armando Duka, Kreu i FSHF: Gjendja fatmirësisht është shumë e mirë. Nuk kemi asnjë futbollist me dyshime për të qenë në ndeshjen e parë kundër Italisë. Gjendja shpirtërore është shumë e mirë. Grupi është i bashkuar
Uniteti i skuadrës dhe mbështetja e pakursyer e tifozerisë kuqezi, kanë një rol tepër të rëndësishëm sipas Kreut të FSHF-së për në Euro 2024 në Gjermani.
Armando Duka, Kreu i FSHF: Shqiptarë që duan ta shohin live kombëtaren. Ka shumë kërkesa për të treja ndeshjet e kombëtares dhe pritshmëri për Kombëtaren. Slogani “ne jemi një” është pikërisht forca e kësaj skuadre. Me këtë slogan ne mund të bëjmë përpara.
Sfida Shqipëri-Itali do të zhvillohet këtë të shtunë në orën 21:00 në Dortmund dhe do të transmetohet ekskluzivisht falas në Tv Kombëtar Klan.
Klan News