Teksa vetëm një ditë na ndan nga nisja e Euro2024 emocionet janë të mëdha në të gjitha skuadrat pjesëmarrëse. Tashmë çdo gjë duket se është gati për të mirëpritur ndeshjen e parë të këtij Europiani, atë mes Gjermanisë dhe Skocisë gjatë ditës së nesërme. Shqipëria ndeshjen hapëse do ta ketë me Italinë në datën 15 Qershor.
Për të folur më shumë për emocionet e këtij kompeticioni që do ta ndiqni falas dhe ekskluzivisht në Tv Klan, në një lidhje direkte me Klan News, me gazetarin Besard Jacaj ishte Presidenti i FSHF-së, njëkohësisht zëvendëspresidenti i UEFA-s Armando Duka.
Duka shfaqet i emocionuar para nisjes së kompeticionit ku gjatë fjalës së tij sqaron se këto emocione janë për nisjen e ekipit tonë, për ndeshjen e parë kundër Italisë. Në një krahasim me Europionin e vitit 2016 Duka shprehet se emocionet dhe përgjegjësia në këtë Europian është më e madhe kjo për shkak edhe të mbështetjes më të madhe nga tifozët.
Armando Duka:Në fakt deri dje nuk kam pasur shumë emocione, por tani kanë filluar të më hyjnë ethet. Nuk është se mendoj…. Realisht me intereson Europiani, por nuk është se emocionet i kam për Europianin dhe për ndeshjet hapëse, por emocionet e mia janë për fillimin e ekipit tonë kombëtar, për ndeshjen e parë kundër Italisë. Ka më shumë përgjegjësi se sa në 2016. Shumë i bukur ka qenë 2016 me të gjitha këndvështrimet. Me mbështetje nga tifozët, por më duket se tashmë në 2024 interesi i të gjithë shqiptarëve është më i madh edhe kjo më bën që ta ndjej më shumë përgjegjësinë, emocionin e këtij kompeticioni. Kjo të bën që të jesh me më shumë emocion. Për mendimin tim ky është ndryshimi.
Ndërkohë sa i përket gjendjes së ekipit të Kombëtares, Duka shprehet se gjendja e tyre është shumë e mirë si fizike dhe shpirtërore.
Armando Duka: Gjendja fatmirësisht është shumë e mirë. Nuk kemi asnjë futbollist me dyshime për të qenë në ndeshjen e parë kundër Italisë. Gjendja shpirtërore është shumë e mirë. Grupi është i bashkuar. Atmosfera duket pozitive. Pritja në Dortmund ka qenë fantastike. Është e vërtetë që ne kemi ardhur të parët në Gjermani, por uroj që të kemi pasur këmbën e mbarë që Europiani të shkojë sa më mirë, por uroj të rrimë sa më gjatë. Pse jo edhe të fundit.
/tvklan.al