Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është përpjekur të ulë gjakrat ne Kombëtare, pas debateve me largimin e Taulant Xhakës nga grumbullimi i ndeshjes me Italinë.

 Ai publikoi në faqen zyrtare të FSHF-së një deklaratë ku thekson mbështetjen për vendimet e trajnerit De Biasi, por sugjeron qe te mirëkuptohet edhe ndonjë reagim i ‘nxituar’, me qëllim që kombëtarja të jetë e bashkuar.

Armand Duka (President i FSHF-së): “Vendimet e trajnerit duhen respektuar, por edhe ndonjë reagim i “nxituar” duhet mirëkuptuar. Është momenti për një ribashkim të forcave të gjithsecilit, duke vënë mbi të gjitha, interesin e Kombëtares.”

Ngjarjet e fundit në Kombëtare janë theksuar edhe me humbjet radhazi të kuqezinjve duke sjellë edhe kritika në drejtim të pjesëtarëve të tjerë të ekipit. Por, Duka thotë se kjo është e njëjta kombëtare që i bëri të gjithë shqiptaret krenare me kualifikimin ne Euro 2016.

Duka: “I njëjti grup lojtarësh që na bëri krenarë një vit më parë nuk mund të denigrohet dhe të hidhet poshtë brenda natës. Kritikat konstruktive natyrisht na bëjnë mirë, por shpifjet dhe intrigat na dëmtojnë të gjithëve.”

Trajneri De Biasi deklaroi në një intervistë të mërkurën për emisionin Opinion se e ardhmja e Xhakës në kombëtare nuk varet nga ai, por nga sjellja e lojtarit, pasi është Xhaka qe u lagua. Ndërsa babai i Xhakës, që është edhe menaxher i tij iu përgjigj me një letër të hapur, për te mos i vazhduar me polemikat, për hir të kombëtares.

Shqipëria ka pak shpresa për të qenë në botëror edhe pse matematika e mban ende ne lojë. Ekipi duhet të zhvillojë edhe 5 ndeshje dhe për këtë Armand Duka kërkon mbështetje veçanërisht nga tifozëria.

Tv Klan