Ka vijuar këtë të martë në Gjykatën e Posaçme ballafaqimi i Nuredin Dumanit me të pandehurit e tjerë të dosjes ‘Plumbi i Artë’. I penduari i drejtësisë i është përgjigjur pyetjeve të avokatit të Fatos Gosës në lidhje me planin për vrasjen e Elton Kiles në Elbasan i cili njihet me pseudonimin Oti.
“Oti nuk ishte në Elbasan. Më ka nxjerrë në pritë Sueli. Henrik Hoxha ishte me një ‘E Class’ të marrë me qira në Fier. Henrik Hoxha komunikonte shpesh me Suel Çelën me ‘Matrix’ dhe me një program tjetër. Unë me Suel Çelën kam folur vetëm në momentin e atentatit, do dalin të gjitha në ‘Matrix’”, shprehet Nuredin Dumani.
Në bazë të hetimeve të SPAK, ka rezultuar se Suel Çela i kishte kërkuar Dumanit të vriste Kilen për 200 mijë Euro. I penduari i drejtësisë ka folur edhe për planin e vrasjes së Erjon Alibejt.
Porosinë e kishte marrë nga Kel Kamami dhe për këtë do të paguhej 2 milionë Euro.
“Kel Kamami më ofroi 2 milionë Euro për vrasjen e Erion Alibej. Më tha do të jap edhe Talon. I thashë, dua 1.5 milionë Euro, por më sill Talon përpara”, thotë Dumani.
I pandehuri Fatos Gosa kundërshtoi dëshmitë e Dumanit se ka qenë informator në vrasjen e Andi Zylyfit.
Ai deklaroi para trupit gjykues se nuk mund ta bëntë këtë pasi kishte miqësi me familjen e Andi Zylyfit duke rrëzuar pretendimin se kishte marrë 15 mijë Euro për këtë vrasje.
Klan News