Ka marrë zgjidhje ngërçi i krijuar me administrimin e mbetjeve të dyshuara të rrezikshme të refuzuara nga Tajlanda.

Mëngjesin e kësaj të premte anija turke “Moliva” me 102 kontejnerë në kuvertë la radën dhe u ankorua në kalatën 7 në Portin e Durrësit.

Nën mbikëqyrjen edhe të përfaqësuesve të institucioneve ligjzbatuese, nisi menjëherë shkarkimi i kontejnerëve, fillimisht në port, siç shihet edhe në këto pamje.

Më pas kontejnerët me masa të forta sigurie u transportuan drejt zonës së Porto Romanos, pranë Parkut Ekologjik, ku u morën në dorëzim nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Në këtë zonë është përgatitur një vend i posaçëm, i cili përmbush kushtet e vendosura nga Prokuroria për monitorim 24 orë me kamera sigurie dhe siguron mbrojtje të lartë mjedisore.

Mbetjet do të qëndrojnë aty nën mbikëqyrje të rreptë deri në përfundim të hetimeve nga organi i akuzës.

Anija me mbetje mbërriti në Durrës më 28 Tetor dhe qëndroi në radën e jashtme të portit, në pritje të përmbushjes së kushteve të kërkuara për venddepozitimin e tyre nga Prokuroria e Durrësit.

Tv Klan