Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ka dalë në dritë një prej kullave të murit rrethues të qytetit të Durrësit. Ndryshe nga kullat e tjera e njohura deri tani të cilat i përkasin periudhave të mesjetës dhe janë të dëmtuara, kjo kullë i përket periudhës së antikitetit dhe është mjaft mirë e ruajtur.

Sipas arkeologëve, ajo i përket shekullit të VI të erës tonë, kulla është zbuluar gjatë një gërmimi pranë shkollës 8-vjeçare “Shaqe Mazreku”. Ndonëse kulla është pak e dëmtuar në pjesën e sipërme, rrënja e saj e njohur ndryshe në gjuhën e arkeologëve si xoklatura është e paprekur nga ku mund të krijohet idea e arkitekturës antike të murit rrethues në Durrës.

Muri rrethues i qytetit është ndërtuar dhe rindërtuar disa herë dhe ndërhyrjet janë bërë mbi atë ekzistuesin. Kjo ka bërë që të shihet muri mesjetar, por rrënjët e tij antike të njihen me vështirësi. Fare pranë kësaj kulle është zbuluar edhe një segment i kanalit të ujërave të zeza të Durrësit të lashtë.

Ky vit përveç faktit se ka përkuar me 2635 vjetorin e themlimit të Durrësit, ka njohur dhe një numër të konsiderueshëm zbulimesh të rëndësishme arkeologjike. Gërmimet gjatë muajve të verës nxorën në dritë një mozaik shumëngjyrësh, një bazilik, si dhe statujën e Geas, perëndeshës të tokës dhe gjithësisë./tvklan.al