Në këtë merkato dimri, Lazio po bën gjithçka që të shesë Elseid Hysajn. Mbrojtësi kuqezi konsiderohet si një problem ekonomik në klubin bardhekaltër, ndërsa nuk bën pjesë në planet e trajnerit Marko Baroni.

Interesim për futbollistin ka pasur nga Arabia Saudite, por në nisje të janarit në garë janë futur edhe dy klube të Serie A, Lecce dhe Empoli.

Problemi i vetëm për të dyja klubet është rroga e lartë e Hysajt. Ai paguhet 2.8 mln euro në sezon, shto këtu edhe bonuset, ndërsa ka kontratë me bardhekaltrit deri në verën e 2026-ës.

Sipas Calcio Lecce, klubi Puglias mund të përdorë mesfushorin kuqezi Medon Berisha për të siguruar shërbimet e Hysajt.

21-vjeçari pëlqehet nga bardhekaltrit e kjo mund të lehtësojë shkëmbimin.

Një alternativë tjetër mund të jetë gatishmëria e Lazio-s për të paguar një pjesë të pagesës së Hysajt. Kjo mund të bëjë që si për Lecce-n, ashtu edhe për Empolin të jetë më e thjeshtë për të realizuar transferimin e mbrojtësit të krahut kuqezi.

Klan News