11 mijë Lekë për një të sëmurë rendë dhe 1700 Lekë për një rast të lehtë
Qeveria miratoi këtë të mërkurë paketën e rimbursimit për personat e prekur me COVID dhe që ndiqen në banesë nga mjekët e familjes. Sipas këtij vendimi, rimbursimi kap vlerën e 10 mijë e 900 Lekë për çdo person pozitiv COVID të formës së mesme.
Rimbursimi përfshin 2 terapitë e mjekimit, atë të fazës së lehtë që shoqërohet vetëm me vitamina, dhe atë të fazës së mesme që përfshin vitaminat dhe antibiotikët në rastet kur ka vatra pulmoni. Në rast e lehtë një person kompensohet në vlerën e 1700 Lekëve.
Sipas vendimi të miratuar në mbledhjen e qeverisë Për diagnozën COVID-19, e gjithë popullata konsiderohet përfituese nga skema e sigurimeve shëndetësore, duke u regjistruar dhe identifikuar si e siguruar. Pra, edhe nëse një person nuk është i siguruar, ai përfiton rimbursim për protokollin e mjekimit në rastin kur rezulton pozitiv COVID.
Rimbursimi do të jetë 100% nga shteti nga fondi prej 1.2 miliardë Lekë të vënë në dispozicion të pacientëve me COVID. Vendimi për rimbursimin e terapive të mjekimit ka hyrë në fuqi menjëherë dhe është botuar në fletoren zyrtare. Në 8 muaj pandemi, Shqipëria regjistron afro 30 mijë të prekur nga koronavirus dhe gjysma e tyre janë ende aktivë.
Tv Klan