Grabitësit e parave në aeroportin “Nënë Tereza” përdorën një furgon ngjyrë të bardhë për të hyrë në pistën e aeroportit, ku morën nën kërcënimin e armëve miliona Euro.

Gazetari i Tv Klan, Spartak Koka, tha në studion e “Opinion” se një nga makinat që kanë përdorur grabitësit rezulton të ketë qenë me targa false. Këto targa i përkasin një automjeti tip “Fiat” ngjyrë e kuqe, të cilat ishin raportuar të vjedhura. Pasi morën paratë, grabitësit u larguan me furgonin me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”. Ky mjet u gjet më vonë i djegur nga policia. Po kështu, një makinë e dytë, Mercedes-Benz, u gjet e djegur në një tjetër vendndodhje.

Gazetari Koka deklaroi se hetimet e policisë janë fokusuar në dy pista. Pista e parë ka të bëjë me dyshimet e policisë se automjeti Mercedes me targa të vjedhura mund të jetë përdorur si karrem për të shpërqëndruar autoritetet. Ndërsa pista e dytë ka të bëjë me faktin se ky mjet me targa të vjedhura që i përkasin një Fiati, mund të jetë përdorur realisht nga të dyshuarit si makinë e dytë pasi dogjën furgonin me të cilin grabitën paratë.

Gjatë grabitjes së armatosur, pati shkëmbim zjarri mes policisë dhe autorëve gjatë arratisjes së këtyre të fundit. Nga të shtënat mbeti i vrarë njëri prej grabitësve, i cili ende nuk është identifikuar.

Ndërsa ish-zyrtari i policisë, Erzen Breçani, i ftuar në studion e “Opinion”, tha se kontakti i parë i policisë me grabitësit ka qenë në momentin kur të dyshuarit ndryshuan makinat pak metra larg pistës së aeroportit, pasi grabitën paratë. 

/tvklan.al