Lajme Arkiva 2003

2 Shkurti i vitit 2001 shënoi një nga aksionet më të mëdha ndërkombëtare për goditjen e një organizate ku përfshiheshin edhe shqiptarë për shpërndarjen e kokainës. Operacioni i quajtur “Journey Italia” është shtrirë në Shqipëri, Greqi, Itali, Venezuel, Francë dhe të tjerë.

Në të njëjtën ditë u sekuestruan dy anije njëra prej të cilëve e shqiptarëve Frederik Durda dhe Arben Përballa, që sipas autoriteteve ndërkombëtare do të sjellin në Shqipëri 6 ton kokainë për ta shitur më pas në Rusi.

Urdhër arrestet ndaj dy eksponentëve shqiptarë të organizatës Durda dhe Përballa u firmosën nga prokuroria e Leçes dhe u ekzekutua në Shqipëri ndërkohë qe prokurori i përgjithshëm ishte Arben Rakipi.

Në banesën e Durdës u gjetën 1 milion Dollarë dhe një automatik gjë që shtoi dyshimet se ai ishte i përfshirë në veprimtari të paligjshme, por prova më e vështirë për policinë tonë erdhi më vonë,

Pak ditë pas këtyre arrestimeve u publikua se anti-mafia e Leces kishte zbuluar nga përgjimet e kryera se shefi i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme Sokl Koçiu dhe mik i prokurorit Rakipi ishte i përfshirë në këtë grup. Ai njihej me nofkën djali i kryeministrit dhe më vonë u dëshmua nga një italiane edhe kjo e arrestuar për drogë se Koçiu do të mbështeste transportin e kokainës në Shqipëri duke u prezantuar si shefi i antimafias shqiptare.

Pas disa operacioneve të dështuara për kapjen e tij Koçiu u arrestua në mars të vitit 2001 dhe thuajse një vit më vonë ai u paraqit bashkë me 5 të pandehurit e tjerë në Gjykatën e Tiranës me akuzat krijim të organizatës kriminale, armëmbajtje pa leje, falsifikim dokumentesh etj.

Asnjë nga të pandehurit nuk e ka pranuar akuzën dhe secili prej tyre pret të shijoj lirinë, pasi edhe afatet e paraburgimit po mbarojnë, ndërsa procesi është ende në fazën e paraqitjes së provave nga prokuroria. Kjo dosje ka edhe dy të pandehur të tjerë ende në kërkim nga policia, Blerta Papuçiu dhe Stefan Zonja./tvklan.al