Juli Çenkon e njohim si një prej zërave të bukur nga Gjirokastra dhe emër shumë i dashur në rrymën e “turbofolk”. Ardhja e saj në programin “Rudina” në Tv Klan, e shoqëruar nga kantautori Mario Bregu nuk ishte vetëm për të folur rreth bashkëpunimit të tyre, “Zinxhiri i floririt”, por edhe për pasionet përtej muzikës.
Këngëtarja ka një pasion të veçantë për qëndisjen me dorë të cilën e ka mësuar në moshë të vogël. Ajo ka sjellë në studio edhe dy qëndisjet e para që ka bërë kur ishte ende duke punuar për pajën.
Juli Çenko: Unë kam disa pasione. Së pari kam gatimin, por kryesori që kam është arredimi i shtëpisë. Dua të merrem shumë me shtëpinë.
Rudina Magjistari: Vërtet?
Juli Çenko: Gjithë jetën time, qëkur kam qenë e vogël, dua të rregulloj shtëpinë, dua të ndryshoj mobiliet, dua të zbukuroj, të kombinoj. Njëkohësisht kam edhe punën e dorës, kam qëndisur që e vogël.
Rudina Magjistari: Dhe ti na e ke përgatitur një surprizë të vogël sot për të na treguar disa nga punët e tua të dorës, i realizon me shumë pasion. Kur ka nisur ky pasion, kjo lloj mjeshtërie?
Juli Çenko: Që në shkollën fillore, kur kam qenë e vogël.
Rudina Magjistari: E ke mësuar në shkollë apo të ka mësuar gjyshja apo mamaja?
Juli Çenko: Mami im, falenderoj mamin tim që më ka dhënë një edukatë pune. Jemi marrë shumë me shtëpinë, e kemi të theksuar ne këtë punën artizanale, punën e dorës. Kjo është një, ne i themi çentro në Gjirokastër, puna ime e parë që kam bërë. Kjo është e punuar në gjergjef.
Rudina Magjistari: Sa e bukur! Sa mirë që i ruan!
Juli Çenko: Po, i ruaj që të gjitha dhe kam edhe këtë, kjo është një mbulesë tavoline që vendoset trekëndëshe, mund ta hapësh edhe komplet, e punuar në gjergjef.
Rudina Magjistari: Vazhdon qëndis akoma?
Juli Çenko: Neve kemi punuar dhe në kohën tonë pajën unë e kam përgatitur të gjithë vetë me duart e mia, çdo gjë e kam qëndisur vetë dhe i kam që të gjitha. Nuk kam arritur as t’i shijoj akoma.
Rudina Magjistari: Ke akoma gjëra të pahapura?
Juli Çenko: I kam akoma të pahapura se unë ika në Greqi atëherë për të punuar në mërgim si gjithë të tjerët dhe paja ime ka ngelur akoma e pahapur dhe unë them tani do t’i gëzojnë djemtë dhe nuset punimet e mia./tvklan.al