Zef Përndoj nga Shkodra, në Mars 2017 është arrestuar për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike në bashkëpunim”.
Gjykata e shkallës së parë e Krimeve të Rënda e shpalli të pafajshëm Zefin dhe shoferin tjetër.
Ndërsa pronarin e linjës së autobusëve, ku ata punonin, e dënoi me 8 vjet burg.
Por çështja kaloi në Apel dhe pas një kalvari, prokuroria e Shkodrës kërkoi masën “arrest shtëpie” për të dytën herë.
Për këtë problem, Zef Përndoj i është drejtuar emisionit “Stop”.
“Më datën 18 Mars 2017, jam nis për në punë si shofer autobusi, me linjën Shkodër-Itali. Në pikën doganore në Muriqan, jemi kontrolluar fizikisht, asnjë problem, kur është kontrolluar autobusi brenda, qeni i policisë malazeze konstatoi se këtu ka diçka. Më pas kanë ardhur policia malazeze në bashkëpunim me policinë tonë, kanë hapur në kolonën e autobusit dy kat, në mes të shoferit, tek dy akset e brendshme të autobusit në kolonë, kanë gjetur kanabis. Kam bërë katër muaj e gjysmë burg, më pas kam dalë në arrest shtëpie, ku kam qëndruar për dy vjet me byzylyk në shtëpinë time”.
Më tej ai tregon se së bashku me shoferin tjetër, janë shpallur të pafajshëm.
“Kemi qëndruar 7 muaj në liri, më urdhër të formës së prerë, kur më erdhi një letër që më kërkon të paraqitem për masë sigurie. Kishte ndodhur që Gjykata e Apelit Tiranë, e kishte rikthyer çështjen për rigjykim në shkallën e Parë në Shkodër”.
Përndoj rrëfen se deri më tani është zhvilluar një seancë, ku për të dhe shoferin tjetër është vendosur masa arrest shtëpie, ndërsa pronarin e kompanisë, arrest me burg.
“Rikthimi i çështjes është i padrejtë, unë nuk e di se çfarë do të bëj…”
Juristi Çlirim Gjata shpjegon situatën dhe thotë se gjithçka mund të ishte evituar, nëse do të kishim një Gjykatë të Lartë funksionale.
“Problemi këtu është mungesa e institucioneve. Kur një Gjykatë vendos nxjerrjen e çështjes jashtë kompetencës lëndore dhe e dërgon gjykatës së Shkodrës… po të kishte Gjykatë të Lartë tani, brenda 30 ditëve duhej ta shqyrtonte dhe vendoste, nëse ishte në kompetencën e Krimeve të Rënda, e kthente Apelit të Krimeve të rëndë, në të kundërt vazhdonte në Shkodër.
Kjo është e para, që zgjidh këto konflikte.
Tani nëse institucionet kanë përplasje thjeshtë mendimi juridik, gjë që është shumë e zakonshme në marrëdhëniet mes gjykatave, pse duhet të rëndojë kjo tek qytetari, qoftë ky krimineli më i madh, aq më tepër që ka marrë një herë pafajësi… nuk është faji i tij, në kuptimin e plotë nuk është përgjegjësia e tij.
Mendoj që më e mira t’i jepet fund kësaj historie. Prokuroria ta zgjidhë njëherë e mirë çështjen e këtij personi sepse nuk mund të vazhdojë. Këtë përplasje juridike nuk duhet ta vuaj qytetari”. /tvklan.al