#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

#tvklan #edielashqiptare #arditgjebrea #ornela #nurie #nene #mirenjohje #sakrifica #zana #korca #baba #muzike #kenge #mesazh

Tradhtia e babait në burg/ Vajza: Shkëmbente letra dashurie, donte të na largonte nga shtëpia

Ornela vjen në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të treguar historinë e nënës  së saj, por që ndërthuret fort me jetën e vetë protagonistes. Ajo  nis të tregojë për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan sesi  nëna, një vajzë shumë e bukur me 4  vëllezër, e apasionuar pas muzikës dhe këngëtare, e bëri të atin e tri vajzave të dashurohej pas saj.

Çifti u njoh, u martua dhe u vendosën në Durrës ku erdhi në jetë Ornela në fillim. Me trishtim, Ornela tregon se babai nuk sillej mirë me nënën, ishte njeri konfliktual e madje edhe e dhunonte. Një ditë, për shkak të një sherri që ende sot Ornela s’di ta shpjegoë, i ati dërgohet në burgun e Spaçit.

Jeta nuk do të bëhej më e lehtë. Në burg, babai u dashurua me motrën e një të burgosuri dhe pasi doli, kërkoi divorcin. Fëmijët e Nuria shihnin letërkëmbimet e tyre dhe kërkesën e saj që nëse ata nuk largoheshin, ajo nuk do të vendosej në atë shtëpi. Në përpjekje për ta përshpejtuar këtë proces, i ati solli në shtëpi një grua tjetër e ndërkohë vazhdonte komunikimin me Zanën nga Korça.


Ornela: Mami u detyrua që edhe e vetme, edhe të na rriste neve, edhe çdo 15-ditësh shkonte dhe e takonte. Në qoftë se mami nuk shkonte çdo 15-ditësh…

Ardit Gjebrea: Si e ka emrin mami?

Ornela: Nurie. Në qoftë se mami nuk shkonte dot, ai u dërgonte dajave një mesazh, telegram se atëherë ashtu ishte, “më thoni në çfarë date ka vdekur Nuria. Kur bëhet varrimi?”

Ardit Gjebrea: Ironike e gjitha.

Ornela: Ironike, po patjetër. “Pse s’ka ardhur?” Për 3 vjet, mami u mundua edhe të shkonte te ai në burg, edhe neve të na rriste me shumë mundim dhe me shumë sakrifica. Kur ishte në burg, të burgosurit punonin, e kishin caktuar aty te dera e burgut dhe lajmëronte njerëzit “të ka ardhur vëllai, të ka ardhur motra”. Aty ishte edhe një i burgosur të cilin e vizitonte motra e tij, Zana nga Korça, shkonte takonte vëllain dhe ra në dashuri me babain tim.

Ardit Gjebrea: Po Zana e dinte që babi ishte babi, pra ishte i martuar e me tre fëmijë?

Ornela: Ppo, patjetër. Kur erdhi, babi i kërkoi mamit divorcin. Mami nuk donte.

Ardit Gjebrea: Pse?

Ornela: Sepse nuk donte që ne të ndaheshim, donte që ne të rrinim bashkë.

Ardit Gjebrea: Po mami e mori vesh historinë me Zanën?

Ornela: E morëm vesh historinë me Zanën sepse filluan letërkëmbimet.

Ardit Gjebrea: E the në numrin shumës, pra e morët vesh edhe ju fëmijët?

Ornela: Postieri atëherë i fuste letrat poshtë derës. Ne i merrnim,  i lexonim dhe i mbyllnim prapë. Znj. Zana nuk pranonte që të vinte në Durrës pa ikur Nuria me tre vajzat.

Ardit Gjebrea: Ah, babi i  thoshte asaj që hajde e jeto me mua?

Ornela: Po, hajde dhe ajo i thoshte, në letër i shkruante, “nëse nuk ikën Nuria me vajzat, unë nuk vij”.

Ardit Gjebrea: Dhe Nuria me vajzat i lexonte letrat e saj.

Ornela: Të gjitha. Poezitë e dashurisë që i dërgonin njëri-tjetrit,  ai për të bërë të mundur që ne të largoheshim mori një grua tjetër, nga Kavaja.

Ardit Gjebrea: Jo Zanën?

Ornela: Jo Zanën, dhe e solli në shtëpi. Ajo kishte edhe një fëmijë nga martesa e saj e parë.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë kishte edhe Zanën?

Ornela: Po.

Ndanin shtëpinë me familjen e re të babait pas divorcit, Ornela rrëfen torturat e përditshme

Nëse më parë qëndrimi në një shtëpi me të atin kishte qenë i vështirë për Ornelën, motrat e nënën e saj, Nurien, divorci i përkeqësoi gjërat. Pas tij, gjykata vendosi që vajzat do të qëndronin me nënën, por në të njëjtën shtëpi me të atin për njëfarë kohe.

Gjatë kësaj periudhe, ai nuk i reshti përpjekjet për t’ua vështirësuar sa më shumë situatën. Ornela tregoi në “Ka Një Mesazh Për Ty” për sjelljen e tij, tradhtinë, martesën me një grua tjetër që e solli në këtë shtëpi e njëkohësisht vazhdonte letërkëmbimin me zonjën nga Korça dhe në fund, gjeti mënyra për ta blinduar shtëpinë.

Ornela kujton në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan kushtet primitive që iu desh të përshtatnin sepse babai bllokoi dyert që vajzat e Nuria mos të lëviznin nëpër shtëpi.


Ornela: Gjykata vendosi që shtëpia t’i mbetej atij dhe ne të vendoseshim aty provizorisht. Ishte shumë e çuditshme që një çift të rrinë të ndarë në një shtëpi.

Ardit Gjebrea: Po si ndenjët ju?

Ornela: Kur shkuam ne në shtëpi, ai kishte dhomën e gjumit, korridorin dhe tualetin, kurse ne kishim kuzhinën, aneksin dhe ballkonin.

Ardit Gjebrea: Po tualeti?

Ornela: Jo, nuk kishim.

Ardit Gjebrea: Po si do të shkonit në tualet ju?

Ornela: Nuk… ne kishim vetëm gjëra primitive. Nuk na e hapte derën, ai na e mbylli derën e kuzhinës nga jashtë.

Ardit Gjebrea: Po ju nga dilnit?

Ornela: Neve, për fatin tonë të mirë, shtëpia ishte pallat dhe në kat të parë, ne vendosnim një karrige te ballkoni dhe hidheshim jashtë.

Ardit Gjebrea: Pra futeshit nga ballkoni në shtëpi, jo nga dera.

Ornela: Nga ballkoni.

Ardit Gjebrea: Për sa kohë zgjati kjo?

Ornela: Kjo zgjati për 3 vite e gjysmë.

Ardit Gjebrea: Jo!

Ornela: Po, po, po. Ndërkohë që ai bënte tentativa që ne të iknim…

Ardit Gjebrea: Më fal, ai ishte me atë nga Kavaja?

Ornela: E solli pasi mbylli derën, pasi u bë divorci, pasi gjykata më caktoi mua me mamin dhe ne të treja u vendosëm aty në kuzhinë, ai e solli atë gruan, u martua me të dhe ne gjithmonë, ajo motra e vogël e shikonte nga vrima e çelësit, shikonte atë çunin, shikonte familjen e re të babit dhe thoshte “o mami, si po i thërret babi, është babi jonë?”

Ornela nuk ruan kujtime të bukura me të atin, nuk mban mend as ndonjë çast dhembshurie e dashurie prej tij. Marrëdhënia e tij dhe e vajzave ishte kthyer në një interes të njëanshëm kur dera e kuzhinës hapej vetëm që ato të bënin punët e shtëpisë në pjesën e tij. Një ditë, vajza e vogël bëri një ‘krim’ të pafalshëm.

Ornela: Një ditë e hapi dhe tha “më bëni pak punët” dhe iku në punë, mami ishte në punë dhe vazhduam. Motra e vogël, ajo ishte e vogël, hyri në dhomën e tij dhe pa një fotografi. Aty në mur ishte fotografia e Zanës.

Ardit Gjebrea: Nga Korça.

Ornela: Po. Motra mori karrigen, mori fotografinë dhe e grisi. Ardit, për mua ka qenë shumë, shumë e vështirë, më dridheshin gjunjët nga frika. Dola të kërkoja vinovil ta ngjisja se kishim shumë frikë se çfarë do të na thoshte babi.

Ardit Gjebrea: E ngjite?

Ornela: Gjeta e ngjita, po, ai kur erdhi e kuptoi, nuk ndodhi gjë për fatin tonë të mirë se kishim bërë vërtet një krim.

Pas tradhtisë me “Zanën nga Korça”, i bën kërkesën absurde ish-gruas: Hiqu si ajo në celebrim

Sikur të mos mjaftonin sakrificat e viteve të martesës dhe sfidat sfilitëse pas divorcit, nëna e Ornelës,  Nuria u largua nga ajo shtëpi me një akt të fundit. Edhe pse i shoqi e kishte keqtrajtuar gjatë martesës, tradhtuar, krijuar vazhdimisht stërmundime për të e vajzat, ajo ia realizoi edhe një kërkesë.

Vajza, Ornela e tregon në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan sesi nëna pranoi që të shtirej si gruaja me të cilën ai e kishte tradhtuar, Zana nga Korça që të kryhej celebrimi i tyre.


Ornela: Dua të them edhe një detaj, nuk e bën çdo grua atë. Para se të iknim, babi i thotë mamit se u nda, u bë divorci e gjithçka. “Unë do të bëj celebrim me Zanën, Zana nuk vjen dot se nuk mundet nga Korça” se Zana nuk donte përplasje me mamin. “A mundesh ti që të vish me mua dhe të bësh celebrimin në vend të Zanës?”

Ardit Gjebrea: Pra të bëhej mami yt, Nuria sikur ishte Zana?

Ornela: Nuria ka shpërndarë llokume për Zanën.

Ardit Gjebrea: Po Zana erdhi, jetoi ndonjëherë me babin në atë shtëpi?

Ornela: Pasi ikëm ne, patjetër, jetoi.

Sakrifikoi jetën për vajzat, Nuria merr dëshminë më të bukur të dashurisë

Jeta e Nuries, historinë e së cilës e rrëfeu vajza, Ornela në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ka qenë e tejmbushur me sakrifica. Një ish-bashkëshort i vështirë, përballaj e  sfidave si nënë e vetme me tri vajza dhe vendosmëria që në moshën 33-vjeçare, t’u përkushtohej vetëm atyre.

Ornela tregoi sesi e ëma e ndërpreu rrugën e muzikës duke iu dedikuar familjes e lënë veten   mënjanë. Arsyet që ajo e ka ftuar janë të panumërta, por dëshiron që t’i lërë një dëshmi dashurie.


Ornela: Ma!

Nurie: Zemër!

Ornela: Unë kam ardhur sot këtu, kam treguar gjithë historinë e jetës tënde, gjithë vuajtjet dhe sakrificat që ti ke bërë për ne. Ti s’na braktise asnjëherë, për asnjë arsye. E doje shumë familjen, por fati yt nuk deshi ashtu. Ti ma na ndihmon shumë, na i ke rritur fëmijët, ke sakrifikuar gjithë jetën për neve. Ti e di që unë nuk jam tip që bëj këto gjëra kështu, por indicien e mora nga mbesa jote, falë  asaj jam këtu, falë Hermonës. Ti je një model shumë i mirë i nënës dhe unë këtë ia kam përcjellë edhe vajzave të mia dhe për gjithçka që jam sot apo shpresoj të jem në të ardhmen, unë të detyrohem ty ma!

Nurie: Faleminderit zemra ime!

Ornela: Të duam shumë dhe shpresojmë të të kemi sa më gjatë pranë nesh!

Nurie: Faleminderit zemra ime! Edhe unë të dua shumë! Je njeri i mrekullueshëm! Jeni të mrekullueshme, të treja vajzat e mia!

Ardit Gjebrea: Je krenare për to?

Nurie: Jam shumë krenare! Jam shumë e lumtur që kam vajza!