#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

#arditgjebrea #elios #liza #ditelindje #falje #sakrifica #jetim #gjysh

Humbi babain në moshën 4-vjeçare, historia e trishtë e Eliosit: E kisha të vështirë të jetoja me njerkun


Elios e nisi jetën me një humbje të fortë. Kur ishte vetëm 4 vjeç, mbeti pa baba dhe vetëm në duart e nënës e gjyshërve. Pas disa vitesh që nënë e bir kishin vetëm njëri-tjetrin, e ëma u martua dhe jeta ndryshoi. Detajet e historisë Eliosi i rrëfen gjerë e gjatë në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.

Elios: Rrugëtimi ndodhi kur isha 4 vjeç, kur humba babain tim dhe ishte një rrugëtim shumë i vështirë.

Ardit Gjebrea: Nga se e humbi jetën babi?

Elios: Babi nga një infarkt dhe unë e kisha shumë të vështirë humbjen e tij. Gjatë rrugëtimit ishim me gjyshin dhe me gjyshen, mami ishte shumë e re dhe pastaj mami do të detyrohej që të shkëputej për në Vlorë te dajat.

Ardit Gjebrea: Ju jetonit në Tiranë?

Elios: Ne jetonim në Tiranë, por me gjyshin dhe me gjyshen, ata kishin humbur djalin dhe nuk është se e kishin… ishte e vështirë  të rrinin e të merreshin edhe me nne kështu që ishte një problem shumë i madh që ne do të detyroheshim të shkonim te dajat në Vlorë. Shkuam te dajat në Vlorë, mami e kishte të vështirë, unë e kisha të vështirë të përshtatesha me ato kushte, pastaj i prezantuan njerkun.

Ardit Gjebrea: Pas sa kohësh mami u lidh me dikë?

Elios: Pas nja 6 vjetësh. E kisha shumë problem që të bashkohesha me njerkun.

Ardit Gjebrea: Vërtet?

Elios: Po, shumë. Isha mësuar me gjysh dhe mamin, me këta të dy isha mësuar në jetën time.

Ardit Gjebrea: Ndërsa me një njeri tjetër jo.

Elios: Me një njeri tjetër e kisha shumë të vështirë.

Ardit Gjebrea: Bëre ndonjë përpjekje për ta pranuar apo…

Elios: Jo, duke luftuar pak edhe me gjyshin e mamin që nuk doja të bashkëjetonte, por kushtet ishin që…

Ardit Gjebrea: Ti nuk doje që mami të bashkëjetonte me njerkun?

Elios: Jo, doja që ta kisha vetëm timen.

Ardit Gjebrea: Mami të ka vetëm ty fëmijë,  po?

Elios: Vetëm mua, unë jam djalë i vetëm.

Ardit Gjebrea: Po njerku?

Elios: Njerku ka dy fëmijë, ka edhe një gocë tjetër.

Ardit Gjebrea: Mami kur shkoi, jetoi edhe me fëmijët e njerkut?

Elios: Po. Mami ka qenë një mbështetje e tyre sepse i ka rritur dhe ka dhënë shumë energji dhe shumë vuajtje edhe me ata.

“S’e ka jetën e gjatë”, Eliosi kujton si e zbuloi të fshehtën e gjyshit


Pas humbjes së babait kur ai ishte vetëm 4 vjeç, Elios dhe nëna e tij jetuan me gjyshërit. Më pas, nëna u rimartua dhe njerku kishte tre fëmijë. Eliosi rrëfeu në “Ka Një Mesazh Për Ty” se e kishte të vështirë ta pranonte njerkun dhe nuk jetoi me ta, por u kthye të gjyshërit në Tiranë.

Përgjatë viteve ai u përpoq të shkollohej, të gjente rrugën e tij në jetë por pati edhe një tjetër moment të vështirë. I emocionuar, ai kujton në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se si mësoi krejt rastësisht që gjyshi i tij vuante nga kanceri dhe nuk i kishte treguar asgjë.

Elios: Gjyshin e doja shumë.

Ardit Gjebrea: Nuk shkëputeshe dot.

Elios: Nuk shkëputesha dot. Kur e mora vesh, kur kisha një shoqe dhe më lexon disa ilaçe dhe më thotë “gjyshi s’e ka shumë të gjatë jetën”. Po pse, i thashë unë. “Kurohet nga kanceri”.

Ardit Gjebrea: Ai nuk të tregoi dot që nuk shpëtoi dot nga kjo sëmundje.

Elios: Nuk më tregoi, e ka pasur të fshehtë gjithçka. Pas dy operacioneve që ai bëri, jetoi edhe një vit, unë e kisha shumë të vështirë se do të kaloja te një biznes që e kam prej shumë vitesh, kështu që unë nuk e pata shumë të lehtë edhe mbajtjen e biznesit, edhe mbajtjen e gjyshit. Kam vuajtur shumë.

Ardit Gjebrea: Në momentin që humbe edhe gjyshin…

Elios: Aty ishte një goditje shumë e fortë, e kisha shumë të vështirë të ringrihesha.

Djali i kërkon falje “heroinës” së tij në ditëlindjen e saj, Ardit Gjebrea i këndon këngën


Pas rrëfimit të historisë për jetën e tij, humbjen e babait në moshën 4-vjeçare, martesën e dytë të nënës, ndarjen nga jeta të gjyshit, ka ardhur momenti që Elios të gjendet përballë heroinës së tij. Nëna e sipërmarrësit feston ditëlindjen dhe ai dëshiron që përmes “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan  t’i thotë disa fjalë zemre.

Elios: Unë faktikisht e kam shumë xhan dhe do t’i kërkoj falje. Unë kurrë s’e kam pranuar njerkun tim gjithë këto vite, por ajo është heroina ime dhe do të jetë e përjetshme.

Liza: Të ka zemër mami! Mos u ndje keq!

Ardit Gjebrea: Ndihet pak keq Eliosi sepse thotë ndihem pak keq që nuk kam pranuar këtë marrëdhënien e mamit me njerkun.

Liza: Ishte i vogël atëherë, s’kuptonte shumë. tani që ka kuptuar, e ka shprehur.

Ardit Gjebrea: Shiko, është edhe e natyrshme sepse 4 vjeç, pastaj nga 4-13 vjeç ai jetoi me ty, të kishte vetëm për vete.

Liza: Tok flinim, tok ngriheshim, tok notin, tok hanim, tok të gjitha.

Ardit Gjebrea: Dhe papritmas futet dikush tjetër kështu që ai e pati shumë të vështirë ta pranonte këtë gjë dhe është e natyrshme.

Liza: Të dish sesi jam unë tani në këto momente… shyqyr  që qëndrova edhe kaq e fortë!

Sigurisht që ditëlindja nuk mund të quhej e tillë pa një tortë. Ardit Gjebrea dhe publiku kënduan së bashku për Lizën këngën e ditëlindjes, ndërsa kjo e fundit fryu edhe qiririn e tortës.

/tvklan.al