#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
#arditgjebrea #e dielashqiptare #nexhi #suzana #elbasan #dhune
#martese #bashkeshort #ndarje #femije #nene
Dhimbja pas një buzëqeshjeje, duroi 7 vite nën dhunë: Nuk mund të kthehesha pas
Nexhi hyri në studion e “Ka Një Mesazh Për Ty” të programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan me një buzëqeshje plot dritë. “Jam e fortë”, iu përgjigj ajo habisë së Ardit Gjebreas pasi rrëfimi i saj nuk është i lehtë.
Kur Nexhi ishte 19 vjeçe, babai i saj ndërroi jetë. Veç dhimbjes, familja shqetësohej për problemet ekonomike por edhe për nënën sepse kaloi në depresion të thellë. Më vonë, Nexhi fitoi mundësinë për të vijuar studimet në Tiranë dhe vendosi që të mos e humbiste. Ardhja në kryeqytet përkoi edhe me njohjen e një djali, 10 vite më të madh se ajo por që e donte shumë dhe nisën bashkëjetesën.
Nexhi: Në fillim duheshim dhe ne vendosëm që në momentin që u njohëm, të bashkëjetonim. Ai ndodhej në Tiranë.
Ardit Gjebrea: Menjëherë?
Nexhi: Menjëherë, pa u njohur. Në fillimet tona ishim shumë në rregull bashkë, pavarësisht se familja e tij nuk donte që të ishim bashkë.
Ardit Gjebrea: Pse?
Nexhi: Sepse ai nuk punonte, edhe pse ishte 10 vjet më i madh se unë. E doja shumë, është normale se isha e vogël dhe gjithmonë kam dashur një person më të madh se mendoja se do të mësoja diçka, do të ndihesha e mbrojtur nga çdo gjë. Vendosëm të fejoheshim.
Ardit Gjebrea: Familja e tij vazhdonte të ishte kundër, po?
Nexhi: Familja e tij po, por gjtihmonë duke bashkëjetuar në shtëpinë e tij. Unë punoja, por ai i filloi xhelozitë, filloi të më hiqte nga puna, unë filloj një punë ndërkohë që vetë nuk punonte. Nëna e tij vendosi të na nxirrte në shtëpi me qira kur ne të dy realisht ishim pa punë sepse nuk duronte dot, mbase mua sepse gjithmonë është shprehur që ishin një dhomë e kuzhinë dhe “nuk kemi ambient”. Më thoshte mua “ti je në fejesë, nuk ke pse të rrish me mua por shko te mami jot dhe hajde me ditë”, i thoja po unë jam në Elbasan ndërkohë që jam në shkollë, punë e të gjitha. Gjithë agresiviteti i tij binte mbi mua dhe më dhunonte.
Ardit Gjebrea: Kur filloi dhuna?
Nexhi: Në fejesë, pas një viti e ca.
Ardit Gjebrea: Deri në atë kohë nuk kishte asnjë shenjë dhune, jo?
Nexhi: Kishte pak, por që unë nuk i vija re. Kishte ndonjë agresivitet në fjalor, në dhunë psikologjike, por gjithmonë kur femra dashuron i errësohen ndonjëherë sytë dhe nuk shikon më gjatë.
Ardit Gjebrea: Por jo fizike?
Nexhi: Jo fizike. Më mbrapa filloi dhuna fizike, për çdo fjalë timen u dukej sikur unë kundërshtoja, sikur unë isha për keq kur unë ndërkohë isha vetëm 20 vjeçe dhe i thoja që unë dua të mësoj, dua të mësoj edhe nga ti. Ndërhynte deri te pjesa e sistemimit të dollapit që “unë jam nëna, kam 30 vjet që unë e rris dhe do t’ia rregulloj si të dua unë”, ndërkohë që unë i thoja por është edhe dëshira ime që t’i sistemoj, t’i rregulloj dhe përpos kësaj, vinte dhuna fizike nga ish-bashkëshorti im.
Për 7 vjet, Nexhi duroi e nënshtruar ndaj dhunës. E pyetur për arsyen, ajo u shpreh “nuk mund të largohej nga ajo strofull” sepse pavarësisht mbështetjes nga familja, trembej nga kthimi në Elbasan.
“Rrezikonim të dy”, shtatzënia që u kthye në luftë për mbijetesë: Mjekët s’na dhanë shanse
Vetëm 19 vjeçe dhe me dëshirën që dashuria të ishte mbrojtja e streha e saj e sigurt, Nexhi vendosi t’i besonte djalit që ajo njohu kur sapo erdhi me studime në Tiranë. Sapo kishte humbur babain, në Elbasan ndodhej nëna e vëllai ndërsa Tirana premtonte ëndrra, shkollim dhe dashurinë. Nexhi tregoi në “Ka Një Mesazh Për Ty” se sapo u njoh me këtë djalë që ishte 10 vjet më i madh se ajo, vendosën të bashkëjetonin.
Nuk u desh gjatë që fjalët e ashpra të ktheheshin në dhunë fizike e psikologjike. Situata u përkeqësua kur siç tregon Nexhi më tej gjatë rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, u zhvendosën në një shtëpi me qira dhe ai i kërkonte vazhdimisht para pasi nuk punonte por nuk lejonte as atë ta bënte.
Më vonë, erdhi martesa prej së cilës kanë edhe një fëmijë. “Shtatzënia ishte momenti më i keq”, kujton Nexhi teksa tregon se analizat rezultuan me anemi të theksuar dhe vjehrra e fajësonte se foshnja do të lindte e sëmurë. Në muajt e parë të shtatzënisë, vazhdonte edhe dhuna fizike por situata e shëndetit të saj përshkallëzoi.
Nexhi: Deri në momentin 6-muajsh kur doktoresha vë re një ndryshim në trupin tim. Aty fillova të fryhesha shumë dhe kur iki bëj kontrollin, doktoresha më thotë që “ti vuan nga hipertensioni në shtatzëni”. Në atë moment më shtrojnë direkt në maternitetin e vjetër, rri një javë.
Ardit Gjebrea: Sa e kishe tensionin?
Nexhi: Tensioni shkonte 18 me 13, 14. Kisha raste që kisha kapur edhe 19.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë që ishe shtatzënë?
Nexhi: Isha 6-muajshe.
Ardit Gjebrea: Të shtruan në maternitet.
Nexhi: Po, në maternitetin e vjetër.
Ardit Gjebrea: Më fal, kishe rrezik për jetën?
Nexhi: Po, shumë sa pas ilaçeve të shumta që unë konsumova nën kujdesin e mjekëve të mrekullueshëm që ne kemi, unë arrita që tensionin të ma stabilizonin, por tensioni më vinte nga gjendja e ankthit që më krijohej edhe në maternitet, nga presionet, nga dhuna psikologjike, nga çdo gjë nga ish-bashkëshorti. Një fjalë që unë në ato momente kisha nevojë për shumë ngrohtësi, atë fjalën time e merrnin për tjetërsoj dhe fillonin më dhunonin psikologjikisht sepse në ato momente unë isha në spital dhe nuk kishte ç’më bënte.
Vetëm pak ditë pas daljes nga spitali, Nexhi mori goditjen më të rëndë gjatë një kontrolli kur mësoi se jeta e saj dhe e djalit ishte në rrezik.
Nexhi: Kur iki për kontroll, prapë doktoresha më thotë “ti do të operohesh urgjent nesër”. Sa kisha hyrë në javën e parë të muajit të shtatë, isha 26 javëshe. “Po ta them që tani që vetëm shpresat te Zoti se të dy rrezikoni jetën”, edhe unë, edhe djali sepse çuni kishte ndaluar zhvillimin, nuk ushqehej më me gjak nga unë nga të gjithë sikletet dhe vuajtjet që unë kalova. Nuk furnizohej me gjak, rrahjet e zemrës po dobësoheshin. Më lidh direkt me maternitetin e vjetër, aty nuk më merrte përsipër asnjë doktor të rrezikonte sepse tensioni më vazhdonte 17 me 13, 14, ishte shumë e rrezikshme që unë të futesha në sallë. Derisa në fund, drejtori i pavijonit të shtrimeve që ka qenë në atë kohë më mori përsipër bashkë me dr. Elvanën. Ata më operuan duke… më thanë që në fillim që do të hyja në sallë, duke firmosur që “Nexh, nuk të japim përqindje që ti do të jetosh bashkë me djalin”. Në atë moment, pa hyrë në sallë vjen mami im, më kap nga duart, unë në atë moment nuk mendoja asgjë, vetëm qaja dhe më thotë kaq, dy fjalë që unë do i mbaj mend, nuk do i harroj kurrë, “a je e fortë?”, po i kam thënë. “A e do djalin?”, po. “Ti do të dalësh me sukses, mos mendo asgjë tjetër, vetëm mendo që ti e do atë djalë shumë”.
“Më rrahu në sy të djalit”/ Rikthimi në shtëpinë e dhunës: Momenti kur mbaroi çdo gjë
Pas përfundimit të operacionit të rrezikshëm që kërcënonte jetën e saj e të djalit, Nexhi e la maternitetin me mrekullinë e saj të vogël në krahë që peshonte veç 1 kg. Ndryshe nga nënat e tjera që pranë u gjendet bashkëshorti për t’i dhënë një përqafim a për t’i ndihmuar, ajo s’mori asgjë nga këto.
Në fakt, ditën e daljes nga materniteti, në shkallët e tij, kujton ajo në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, u rikthye dhuna e mëparshme. Mjaftoi një fjalë që bashkëshorti t’i shkulte flokët e ulërinte që gjithçka të kthehej si më parë, në frikë e deri depresion.
Për të pakësuar shpenzimet, Nexhi dhe ish-burri i kërkuan nënës së tij që t’i pranonte në shtëpi me djalin. Me shumë rezistencë, ajo ua hapi derën derisa një ditë i flaku jashtë sërish. Dhuna nuk ndalonte në asnjë moment, familjarët e Nexhit e dinin dhe i kërkonin të largohej, por ajo s’e bënte. Një ditë, vëllait iu desh ta dëshmonte realitetin e tmerrshëm të së motrës.
Nexhi: Ndodhi një debat kur unë u dhunova fizikisht me djalin në krahë vetëm dy javësh dhe në sy të vëllait tim. Vëllai im, ky i dyti sepse të madhin e kisha në Itali dhe nuk donim ta shqetësonim, pavarësisht se ishte pak në dijeni, më thoshte që “unë s’kam pse të bëj burg ose s’kam pse të ushtroj dhunë te një person që është i dhunshëm, unë mundohem të flas me fjalë” dhe e uli në kafe dhe i tha “vendos, nuk ke pse ti të ushtrosh dhunë pikërisht në syrin tim”.
Ardit Gjebrea: Në momentin që ushtroi dhunë në syrin e tij…
Nexhi: E ka tërhequr vëllai im, e ka mbajtur fort dhe i ka thënë “të lutem, të kam vëlla dhe ty”.
Frika dhe dëshira për të pasur një familje e kishin ngërthyer Nexhin në një rreth vicioz nga i cili nuk e gjente forcën të dilte. Pas një tjetër episodi dhune në sy të të birit, vendosi të largohej vetëm për t’u rikthyer sërish me idenë se ndryshimi mund të kishte ndodhur. Përplasja me dhunën vijoi derisa Nexhi nuk pranoi më që jeta e saj të vazhdonte njësoj si 7 vitet e shkuara.
Ardit Gjebrea: Çfarë të mbante ty të lidhur me të?
Nexhi: Nuk e di. Tani që e kuptoj, ishte vetëm frika ime për të ecur përpara, frika dhe më dukej sikur opinioni që unë do të kthehesha në Elbasan, do të më gjykonin… ishte e para dashuri e imja, e doja shumë familjen dhe prandaj e krijova edhe aq të vogël, e kisha idhull. Në qoftë se unë kam pasur diçka në jetën time idhull, ka qenë familja.
Ardit Gjebrea: E di, por si mund të rritej djali yt duke parë nënën që dhunohej nga babai i vet?
Nexhi: Ndodhi edhe kjo.
Ardit Gjebrea: Ndodhi?
Nexhi: Kur djali ka qenë një vjeç e gjysmë, e operojmë dhe kur kthehemi nga dalja e spitalit, unë i them që pse s’është marrë një tortë për djalin? Aty ka qenë dhuna e fundit që mbaroi çdo gjë, duke u rrahur me rrip pantallonash, i kam edhe foto, aty unë nuk munda dot më, duke ma nxirë syrin që kur e kujtoj, dridhem dhe djali ishte me kateter dhe vinte nëpër shtëpi duke na parë. Në atë kohë, njoftoj prapë vëllain, ai vjen dhe ai thotë “jo, ti nuk do të rrish më këtu, në qoftë se ti do të rrish, nuk do të rrish më këtu”, merr çunin, më merr mua dhe kthehem në Elbasan. Pas shumë tentativave, duke u përpjekur ky, duke kërkuar falje, gjëra që të riktheheshim prapë bashkë, kthehem prapë. E di, është gabimi im, ishte shumë gabimi im por duke më premtuar që ta bëja vetëm për hir të djalit sepse nuk rrinte dot larg djalit dhe mendova sepse ishte vërtet shumë i vogël, mezi e kam rritur, e laja vetë, vinte mami çdo fundjavë, mbaronte punën dhe nisej për në Tiranë që më ndihmonte, kishte raste që nisej në darkë dhe ikte në Elbasan në mëngjes se sëmuresha shumë shpejt nga imuniteti. Kur kthehem, nuk zgjati më shumë se dy muaj.
Ardit Gjebrea: U përsërit prapë dhuna?
Nexhi: Dhuna fizike jo sepse nuk e lejova më. Nuk e lejova më, në momentin që tentoi i thashë stop, boll, nuk ke të drejtë të më prekësh në asnjë moment më, boll të kam duruar. Ishte dhunë psikologjike, me fjalë të rënda…
Ardit Gjebrea: Kur thua dhunë psikologjike çfarë nënkupton?
Nexhi: Me fjalë të rënda, shumë ofenduese, deri te familjarët e mi. Aty i thashë të lutem, largohu nga shtëpia. Ka qenë ora 12 e gjysmë e natës, ditën e ditëlindjes së djalit.
Forcë e paimagjinueshme! Ish-burri e dhunoi në sy të vëllait të saj, Nexhi kujton reagimin e tij
Ditën e daljes nga materniteti pas operacionit që rrezikoi jetën e saj e të djalit por të dy ia dolën me sukses, në shkallët e tij, Nexhi u përball sërish me dhunën e ish-bashkëshortit. Ajo tregon për “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se vëllai i saj u përpoq të gjente një urë komunikimi me kunatin e tij, por pa dobi. Një ditë, vëllait iu desh ta shihte e përjetonte realitetin e tmerrshëm të së motrës e më pas të gjente forcën për të mos përkeqësuar gjendjen.
Nexhi: Ndodhi një debat kur unë u dhunova fizikisht me djalin në krahë vetëm dy javësh dhe në sy të vëllait tim. Vëllai im, ky i dyti sepse të madhin e kisha në Itali dhe nuk donim ta shqetësonim, pavarësisht se ishte pak në dijeni, më thoshte që “unë s’kam pse të bëj burg ose s’kam pse të ushtroj dhunë te një person që është i dhunshëm, unë mundohem të flas me fjalë” dhe e uli në kafe dhe i tha “vendos, nuk ke pse ti të ushtrosh dhunë pikërisht në syrin tim”.
Ardit Gjebrea: Në momentin që ushtroi dhunë në syrin e tij…
Nexhi: E ka tërhequr vëllai im, e ka mbajtur fort dhe i ka thënë “të lutem, të kam vëlla dhe ty”.
Dhimbja e fashitur nga dashuria, vajza falenderon nënën: Prej teje kam jetën e dytë!
Furtunat e jetës e goditën Nexhin që në moshën 19-vjeçare, me një histori dashurie që për 7 vite e ktheu në viktimë të dhunës. Ajo ndau në “Ka Një Mesazh Për Ty” dhimbjen e atij përjetimi, përballjen me vdekjen, ardhjen në jetë të djalit, largimin e rikthimin në shtëpinë që nuk u kthye kurrë në folenë që kishte ëndërruar.
Pas 7 vitesh, Nexhi ia doli që t’i jepte vetes e djalit një mundësi më të mirë, larg dhunës. Në këtë rrugëtim, ka pasur mbështetjen e nënës dhe vëllezërve të saj që s’e kanë lënë vetëm asnjë moment. Triumfi i Nexhit vjen në sajë të tyre ndaj ajo dëshiron që t’ia shprehë nënës falenderimet e saj.
Nexhi: Mami!
Suzana: Urdhëro!
Nexhi: Ti e di shumë mirë që ne të duam shumë, si unë edhe vëllezërit që janë larg. Ti e di që për ne je pika jonë më e dobët. Është vendi më i bukur këtu që unë të të falenderoj ty për çdo sakrificë që ke bërë për ne të tre, sidomos për mua. Të falenderoj që gjithmonë ke qenë heroinë për ne. Për mua ke qenë mbretëreshë e kaluar mbretëreshës sepse më ke dhënë forcë nga forca jote, më ke dhënë dorën gjithmonë dhe nuk ma ke lëshuar kurrë, më ke hapur derën sa herë unë kam pasur nevojë dhe mbase nga shumë gabime që unë kam bërë apo zgjedhje të gabuara të miat. Dua të të falenderoj për rritjen e djalit tim, Henri që ke dhënë maksimumin dhe po jep maksimumin për atë djalë, që i qëndron gjithmonë te koka për çfarëdolloj gjëje, për të dy djemtë e mi. Unë prej teje dhe prej vëllezërve të mi kam jetën e dytë dhe ti e di shumë mirë. Të falenderoj jashtë mase dhe do të të jem mirënjohëse deri në fund të jetës sime!
E mbetur pa fjalë, Suzana shprehet se ka bërë vetëm detyrën. Ajo ka kaluar një mori vuajtjesh pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit dhe u desh të përballej me historinë e së bijës e të mos dorëzohej. Suzana ka gjithashtu një këshillë për të bijën.
Suzana: Zoti më dha forcë që unë të isha mbështetëse e këtyre tre fëmijëve. Për historinë e vajzës, i drejtoja pyetjen vetes sepse i ndodhën shumë gjëra dhe thosha ku gabova, por jo, nuk kisha gabuar. Zoti ndonjëherë i sjell edhe këto gjëra, por unë vajzës sime i them të bëhet e fortë ashtu siç është bërë nëna juaj e fortë që ju ka rritur juve, nuk ka rëndësi a je e vetme apo jo. Bëhu burrneshë dhe rrit ata dy yje që të ka dhënë Zoti lart!
/tvklan.al