Në 5 Prill 2022 emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan ishte në Korçë në ish-Konviktin e Ndërtimit, ku ishin strehuar familje të pastreha dhe jetimë. Mes tyre banonte edhe një 63-vjeçar i vetmuar, Andrea Beqiri, i cili për shkak të gangrenës kishte prerë një këmbë. Pasi e mbajtën një muaj në spital e kthyen në godinën e konviktit pa njeri që të kujdesej për të.
5 PRILL 2022:
Banori: Unë i jam drejtuar emisionit “Stop” sepse pikërisht këtu në kat të parë jeton një person. Para një jave i kanë bërë operacion këmbën, i kanë prerë këmbën. Nuk e mbajtën në spital, e sollën këtu. Ai ka akoma tubat në bark, është shumë i sëmurë. Ky nuk flet dot Odeta është shumë i sëmurë, siç e shikon dhe vetë. Ne jemi kujdesur, kjo zonja këtu. Nuk ka njeri fare, prandaj iu drejtuam dhe emisionit “Stop”.
Në një komunikim me drejtorin e spitalit Korçë, Litian Broka, ky i fundit dërgoi ekipin mjekësor për ta çuar sërish në spital për 10-15 ditë, varësisht nga gjendja e tij shëndetësore. Fatkeqësisht, i sëmuri ndërroi jetë megjithëse emisioni “Stop” kishte organizuar gjithë sistemimin e tij.
“Stop” iu drejtua Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për t’i dorëzuar një kallëzim duke kërkuar fillimin e hetimeve për Shërbimin Social, si dhe stafin mjekësor për mjekim të pakujdesshëm.
Gazetarja e emisionit flet me prokurorin Olger Eminaj, i cili thotë se deri para disa javësh çështja ka qenë nën hetim, por ai ka shkuar në KLP dhe nuk di më se çfarë bëhet me këtë rast.
Prokurori Olger Eminaj: Deri sa e kam lënë unë, ka qenë në hetim.
Gazetarja: Nuk je më?
Prokurori Olger Eminaj: Jo, nuk jam në Korçë, jam tek KLP-ja. Deri para dy javësh ka qenë në hetim.
Titullarja e Prokurorisë se Korçës, Dhorina Theodhori thotë se rasti është hedhur sërish në short e po hetohet nga Anjeza Kalanxhi.
Kryeprokurorja Dhorina Theodhori: I kemi vënë në lëvizje të gjitha dosjet, që janë dorëzuar nga Prokurori dhe janë inventarizuar. Në këtë fazë jemi që dosjet janë inventarizuar janë dorëzuar dhe është hedhur një short të verifikohet në sistem se cili ishte Prokurori i shortuar në dosje. Bëj një shkresë me shkrim që të shikojmë deri në ç’fazë është hetimi./tvklan.al