Dalja e parë televizive në “Gjeniu i Vogël 6” i hapi rrugën drejt pasionit të saj për muzikën, bëhet fjalë për Fjorela Xhaferajn. Ajo konkurron në “Kënga Magjike” në kategorinë “New Artist”, teksa performanca e saj me këngën “Me ty” i rrëmbeu jurisë dritat jeshile.

Fjorela Xhaferaj duket se është rritur në skenat e mëdha të spektakleve muzikore në televizionin Klan, pasi këngëtarja është dhe një nga back vokalistet në emisionin “100 Këngë nga Bota”. Për Fjorela Xhaferajn, vajzën pasionante dhe ambicioze këto janë eksperienca të paharrueshme që i hapin rrugën drejt tregut muzikor.

Rudina Magjistari: E lindur për skenën, në momentin që ndjehesh mirë dhe ndjehesh si në shtëpi kam përshtypjen se suksesi do të jetë i yti e do ta prekësh shumë shpejt. Nga ana tjetër Fjorelën ne e kemi parë dhe të vogël në televizionin Klan, ti ke qenë pjesë e “Gjeniut të Vogël 6”.

Fjorela Xhaferaj: Kam qenë para 11 vitesh, “Gjeniu i vogël” pa dyshim është një shkollë.

Rudina Magjistari: Ka qenë dalja jote e parë këtu?

Fjorela Xhaferaj: Po ka qenë dalja e parë, është një eksperiencë e paharrueshme.

Rudina Magjistari: Pra që atëherë ke dashur, të ka pëlqyer muzika dhe interpretimi, ndërkohë që vazhdoje me violinën. Edhe sot aktualisht ti je ende e angazhuar me Andi Hilën dhe vëllezërit Laço me “100 Këngë nga Bota.”

Fjorela Xhaferaj: Jam e emisionit “100 Këngë nga Bota” si back vokaliste. Është një emision shumë i bukur sepse në çdo puntatë ne sjellim një shtet të ri, tradita të reja, kulturë dhe muzikë të re dhe jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij emisioni sepse po ia kalojmë shumë bukur, është një eksperiencë e paharrueshme për mua.

Rudina Magjistari: Një eksperiencë rreth rrugës tënde për t’u përgatitur si një artiste e formuar. Si të duket “Kënga Magjike” sivjet, si e ndjen garën?

Fjorela Xhaferaj: “Kënga Magjike” sivjet ka këngë shumë të bukura dhe duke qenë se pati këtë mungesën e një viti pushim, artistët kanë ardhur me një dëshirë shumë të madhe për të sjellë materiale që janë vërtet të forta. Por, unë jam e fokusuar tek gjëja ime dhe do të vendos gjithë energjinë që nëse do të kalojmë dhe fazën tjetër për të shkuar në Pallat të Kongreseve, nëse tek “E Diela Shqiptare” kam dhënë 100%, këtu do të jap 200%./tvklan.al