Ky është momenti kur 4 të rinj i vënë flakën një makine tip “Benz” në Korçë. Pamjet janë siguruar prej gazetares së Klan News Daniela Zisi.


Pak më herët, Policia njoftoi se ata janë arrestuar. Ndërkohë të rinjtë të moshave, 16, 17 e 18 vjeç kanë shkrumbuar edhe një makinë tjetër.  Në një prononcim për gazetarët është shprehur gjyshja e njërit prej djemve të cilit iu dogj makina orët e para të mëngjesit të sotëm.

“Na lajmëroi komshija, u ngrit për fëmijën e na tha. Kur shikon, shpejt tha se zjarri. U ngrit djali pastaj, nipi një të nisur me vrap. Ky kishte bërë ca llafe me djem, siç bëjnë këta. E kishin lyer të gjithën me benzinë. E mori komshija në telefon, shpejt se po të digjet makina”, tha ajo.

Motivi? Dyshohet një konflikt i para dy javëve mes të rinjve.


Njoftimi i Policisë për ngjarjen:

Dogjën me zjarr 2 automjete, në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia identifikon dhe shoqëron 4 autorët e dyshuar të ngjarjes. Më datë 19.03.2024, rreth orës 02:00, në lagjet nr. 4 dhe 14, Korçë, ka rënë zjarr në automjetet e shtetasve G. C., dhe J. G., ku si pasojë e zjarrit janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, ku nga veprimet e para hetimore u identifikuan autorët e dyshuar të ngjarjes. Konkretisht shtetasi K. Sh., 18 vjeç; dy 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet të kenë djegur automjetet pas një konflikti për motive të dobëta, të ndodhur rreth dy javë më parë, me pronarët e automjeteve G. C. dhe J. G. Në ambientin e Komisariatit ndodhen të shoqëruar 4 autorët e dyshuar të ngjarjes, për veprime të mëtejshme procedurale.